Polonia po përgatit një projektligj të ri që synon të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç dhe të detyrojë platformat të verifikojnë moshën e përdoruesve.
Ministrja e Arsimit, Barbara Nowacka, deklaroi në një intervistë se partia në pushtet, Platforma Qytetare, do ta paraqesë projektligjin të hënën. Sipas saj, ligji mund të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027 dhe do të parashikojë gjoba për platformat që nuk arrijnë të bllokojnë qasjen e të miturve.
“Po shohim shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe një rënie të kapacitetit të tyre intelektual”, u shpreh Nowacka, duke theksuar se masa synon mbrojtjen e brezit të ri nga ndikimet e dëmshme të rrjeteve sociale. Shkalla e gjobave për kompanitë teknologjike mbetet ende në diskutim.
Polonia nuk është e vetme në këtë drejtim. Disa qeveri evropiane, përfshirë Danimarka, Greqia, Franca, Spanja dhe Britania e Madhe, po shqyrtojnë kufizime të ngjashme, mes shqetësimeve për varësinë dhe ndikimin negativ të mediave sociale tek të miturit.
Qeveria britanike njoftoi në janar se po analizon masa shtesë për mbrojtjen e fëmijëve në internet, ndërsa ligje të ngjashme u miratuan në Australia në dhjetor të vitit të kaluar.
Iniciativa e Varshavës pritet të përballet me rezistencë nga kompani amerikane të teknologjisë si Meta dhe X, në pronësi të Elon Musk, të cilat kanë kundërshtuar kufizime të ngjashme në vende të tjera.
Nëse miratohet, ligji do ta vendoste Poloninë në mesin e vendeve evropiane me rregullat më të rrepta për përdorimin e mediave sociale nga të miturit.

