Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, të shtunën do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Gostivar, ku do të pritet nga kryetari i komunës, Valbon Limani, njofton Gazeta Flaka.
Ceremonia zyrtare pritet të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal, në prani të personaliteteve të shquara publike nga Gostivari dhe rrethina. Të ftuar do të jenë ish-kryetarë të komunës, këshilltarë komunalë, përfaqësues të bashkësive fetare, deputetë të zonës si dhe përfaqësues të jetës politike dhe shoqërore. Fjalë rasti në këtë aktivitet pritet të mbajnë Presidenti Begaj, kryetari Limani dhe kryesuesi i Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi, thonë për Gazetën Flaka nga protokolli i komunës së Gostivarit.
Sipas njoftimeve mediatike, vizita e Presidentit shqiptar do të nisë fillimisht në Tetovë, ku ai do të pritet në ambientet e komunës nga kryetari Bilall Kasami.
Presidenti Begaj pritet të shoqërohet gjatë kësaj vizite edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani. Gazeta Flaka

