Marketing Politik

Kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Valbon Limani, po vazhdon prezantimin e programit të tij zgjedhor përmes projekteve konkrete për zhvillimin urban të qytetit.

Përmes një videoje të publikuar në faqen e tij zyrtare, Limani ka njoftuar për ndërtimin e një hapësire të re publike prej 1,610 metrash katrorë në qendër të Gostivarit, konkretisht në rrugën e njohur si ajo e kinemasë së vjetër. Projekti parasheh krijimin e një shëtitoreje që kombinon hijeshinë klasike me elegancën moderne, duke i dhënë qytetit një dimension të ri urban.

“Në zemër të qytetit, në rrugën e njohur si ajo e kinemasë së vjetër, po ndërtojmë një hapësirë prej 1,610 metrash katrorë, një shëtitore që ndërthur hijeshinë klasike me elegancën moderne. Me kalldrëm, travertin, kandelabra ndriçuese, ulëse dhe vendpushime komode, si dhe me një fontanë e hapësira të sigurta për fëmijët, kjo do të jetë një zonë e re për shëtitje, relaks dhe jetë urbane”, ka deklaruar Limani.

Sipas tij, ky projekt synon të rrisë cilësinë e jetës në qytet, të krijojë hapësira të sigurta dhe funksionale për qytetarët e të gjitha moshave, si dhe ta kthejë qendrën e Gostivarit në një pikë tërheqëse për jetën sociale dhe urbane. Gostivari Sot