
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Gostivarit, Dr. Valbon Limani, ka vijuar aktivitetet e fushatës zgjedhore me takime të drejtpërdrejta me qytetarët dhe përfaqësues të esnafit lokal në qytetin e Gostivarit.
Gjatë vizitës në Lagjen Xhamixhid, Limani u shoqërua nga kryetari i Këshillit Komunal të Gostivarit, Valdet Xhaferi, deputeti Halil Snopçe, si dhe nga përfaqësues të shtabit zgjedhor dhe strukturave partiake. Në kuadër të aktivitetit, ai zhvilloi biseda me qytetarët dhe bizneset e vogla të lagjes, ndërsa u shpërndanë edhe materiale zgjedhore në sheshin e qytetit.
Në bashkëbisedimet me esnafin, Limani prezantoi disa nga pikat kryesore të programit të tij zgjedhor, duke veçuar masat për nxitjen e sipërmarrjes lokale. Sipas tij, programi parashikon mbështetje financiare për të rinjtë përmes 30 start-up-eve me nga 60 mijë denarë, si dhe përkrahje për nisma biznesore të grave dhe vajzave.
Limani bëri të ditur se deri më tani fushata është përqendruar kryesisht në fshatrat e Komunës së Gostivarit, ndërsa në ditët në vijim aktivitetet do të fokusohen në lagjet e qytetit. Ai vlerësoi se takimet me qytetarët janë shoqëruar me interes dhe pjesëmarrje të lartë.
Zgjedhjet lokale për Komunën e Gostivarit do të mbahen më 11 janar, ndërsa fushata zgjedhore po vazhdon me aktivitete të përditshme në terren. Gostivari Sot

