Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, bashkë me banorët e Çegranit, inspektoi sot përfundimin e rrugës drejt varrezave të reja – një projekt me gjatësi mbi 1.200 metra dhe vlerë prej 14,5 milionë denarësh, nga të cilat 2,5 milionë janë investim i Komunës së Gostivarit, ndërsa 12 milionë janë siguruar nga Qeveria përmes kredisë hungareze, raporton Gazeta Flaka
“Sot, së bashku me banorët e Çegranit, inspektuam përfundimin e rrugës drejt varrezave të reja. Një investim i shumëpritur që lehtëson qarkullimin dhe i jep dinjitet këtij vendbanimi,” tha Limani.
Ai njoftoi gjithashtu se kanë nisur edhe punimet për dy lotet e para të kanalizimit kryesor me vlerë totale prej 47 milionë denarësh – prej të cilave 27 milionë janë fonde të Komunës së Gostivarit dhe 20 milionë nga Qeveria.
“Këto janë investime të rëndësishme që zgjidhin probleme të vjetra për banorët e Çegranit dhe përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës,” shtoi kryetari Limani. Gazeta Flaka