Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar komune në Gostivar, Sebaedin Dauti, ka marrë pjesë sonte në mitingun zgjedhor të VMRO-DPMNE-së të mbajtur në qytetin e Gostivarit, ku mori mbështetje të hapur nga lideri i kësaj partie dhe kryeministri aktual, Hristijan Mickoski.
Në fund të fjalimit të tij, Mickoski deklaroi qartë se kandidati i VLEN-it, Sebaedin Dauti, do të ketë mbështetjen e VMRO-DPMNE-së në garën për kryetar të komunës së Gostivarit. Kjo përbën një sinjal të fortë të aleancës së drejtpërdrejtë ndërmjet VLEN-it dhe partisë maqedonase, të cilët vetëm në këtë formë mendojnë se mund ta fitojnë këtë komunë me shumicë shqiptare.
Në miting, Dauti u shoqërua nga Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, njëherësh edhe shef i shtabit zgjedhor lokal të VLEN në Gostivar. Të dy, së bashku me të pranishmit tjerë në Pallatin e Kulturës në Gostivar, qëndruan në këmbë dhe kënduan himnin shtetëror të Maqedonisë. Prania e tyre në këtë tubim u përshëndet edhe nga deputetja dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska, e cila tha:
“Përshëndes miqtë tanë, të cilët sonte i kemi mysafir – ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu dhe kandidatin e VLEN për kryetar komune, Sebaedin Dauti.”
VMRO-DPMNE në Gostivar nuk ka kandiduar me kandidat të saj për kryetar komune, por merr pjesë vetëm me listë për Këshillin Komunal, të cilën e udhëheq Martin Andonovski. Ky vendim nënvizon mbështetjen e drejtpërdrejtë që kjo parti i jep kandidatit të VLEN-it.
Nga ana tjetër, në fjalimin e tij të mbushur me tone të ashpra, Hristijan Mickoski kritikoi ashpër koalicionin shqiptar AKI (Aleanca Kombëtare për Integrim), duke akuzuar se po përpiqen të fitojnë Gostivarin pa votat e maqedonasve.
Ky zhvillim nxjerr në pah qartë strategjinë e VLEN-it e cila për të fitura pushtetin në nivel lokal me përkrahjen e partisë më të madhe maqedonase, është e gatshme në nënshtrim maksimal ndaj VMRO-së. Por, kjo lëvizje e tyre sikurse në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal sjellë vetëm reagim dhe bashkim të elektoratit shqiptarë, Bashkim i cili është i jashtëzakonshëm sdimos në komunën e Gostivarit. Gazeta Flaka