Gostivar, takim i strukturave zgjedhore BDI-ASH: Zgjedhjet e tetorit, referendum për shqiptarët

Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, në Gostivar u mbajt takimi i parë i përbashkët i shtabeve komunale të partive politike që janë pjesë e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) – Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, transmeton Flaka

Në takim morën pjesë kandidati i përbashkët për kryetar të Komunës së Gostivarit, z. Valbon Limani, bartësi i listës për Këshilltarë Komunal, z. Valdet Xhaferi, si dhe dy shefat e shtabeve komunale, z. Nexhati Jakupi dhe z. Isak Lazami.

Diskutimet u përqendruan në harmonizimin e agjendës dhe organizimin e aktiviteteve të fushatës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes strukturave lokale të dy subjekteve kryesore politike në Gostivar.

Ky është një hap i madh drejt fitores së madhe. Gostivari ka nevojë për bashkim dhe vizion të qartë. Zgjedhjet e tetorit janë një referendum për shqiptarët,” – u shpreh kandidati për kryetar komune, Valbon Limani.

Nga ana e tij, bartësi i listës për këshilltarë, Valdet Xhaferi, theksoi se “Bashkimi i forcave në këtë fushatë është garanci për fitore dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Gostivarit.”

Shefat e shtabeve, Nexhati Jakupi dhe Isak Lazami, vlerësuan atmosferën pozitive dhe vëllazërore të takimit, duke nënvizuar se koordinimi mes dy strukturave do të zhvillohet në mënyrën më të mirë.

Mesazhi kryesor i takimit ishte i qartë:
“Bashkë për Gostivarin – Bashkë për fitore!”

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori