Në Gostivar po mbizotëron një atmosferë e qetë politike, ku dy partitë kryesore shqiptare, BDI dhe ASH, tashmë të bashkuara në koalicionin Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), po zhvillojnë aktivitete të përbashkëta në kuadër të fushatës zgjedhore.
Sot, të rinjtë dhe forumet e grave të këtij koalicioni organizuan një shëtitje në qytet, ku morën pjesë kandidati për kryetar komune, Valbon Limani, dhe bartësi i listës për këshilltarë, Valdet Xhaferi.
Kryetari aktual i Gostivarit dhe kandidati për një mandat të ri, Valbon Limani, tha se këto aktivitete kanë për qëllim të afron qytetarët me koalicionin:
“Kjo shëtitje është vetëm fillimi i aktiviteteve që do të intensifikohen në periudhën në vijim. Qëllimi i tyre është që të dëgjohen drejtpërdrejt nevojat e qytetarëve dhe mbi këtë bazë të ndërtohet programi zgjedhor”, theksoi Limani.
Nga ana tjetër, kryetari i degës së BDI-së në Gostivar dhe bartësi i listës së këshilltarëve, Valdet Xhaferi, u shpreh optimist për rezultatin zgjedhor:
“Procesi zgjedhor në Gostivar do të përfundojë më 19 tetor. Kjo është e mundur falë mbështetjes që po merr koalicioni ‘AKI’, dhe kjo mbështetje pasqyrohet në të gjitha anketat dhe në atmosferën që mbizotëron në qytetin e Gostivarit”, tha Xhaferi.
Dy drejtuesit politikë nënvizuan se koalicioni AKI është formuar për të bashkuar shqiptarët, duke rikthyer frymën e unitetit që kishte ekzistuar para vitit 2001.
Para disa ditësh, përfaqësuesit e partive që përbëjnë këtë koalicion kishin zhvilluar një takim në Gostivar, ku u përcaktuan parimet dhe mënyra e pjesëmarrjes së përbashkët në zgjedhje. Flaka