Arrestime, sulme fizike dhe shkelje trafiku në Tetovë e Gostivar

Në 24 orët e fundit, në rajonin e SPB Tetovë janë regjistruar disa ngjarje kriminale dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Mëngjesin e sotëm (14.08.2025), në orën 05:40, në rrugën “Ilinden” në Tetovë, policia arrestoi M.A. (20) nga Gradeci i Gostivarit, i dyshuar për vjedhje automjeti, vepër e dënueshme sipas nenit 235 të Kodit Penal. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të përballet me kallëzim penal.

Një ditë më parë (13.08.2025), M.M. (29) nga Tetova raportoi në polici se në objektin e tij hotelierik “Banja e Tetovës”, mysafiri L.S. u soll në mënyrë të pahijshme dhe pasi iu kërkua të largohej, e sulmoi fizikisht. Rasti është në hetim.

Po atë ditë, rreth orës 15:10, Sh.Xh. (29) nga Saraqina e Tetovës njoftoi se u sulmua nga dy persona në rrugën “113” në Tetovë, ndërsa në Gostivar, L.M. (58) raportoi se rreth orës 19:50 në rrugën “JNA” u sulmua nga T.A. nga i njëjti qytet.

Në një tjetër rast, në orën 21:50, A.R. (22) nga Gostivari denoncoi se në dyqanin ku punon në rrugën “Braka Gjinovski”, një person hyri dhe u soll në mënyrë agresive e kërcënuese.

Kontrolle të trafikut
Gjatë ditës së djeshme, policia e Tetovës kreu kontrolle të automjeteve dhe shoferëve, ku u sanksionuan 34 shoferë për parkim të parregullt (Tetovë – 21, Gostivar – 13), nga të cilët 22 automjete u ngritën me mjetin special “Merimangë”. Gjithashtu u regjistruan 98 shkelje të tjera të rregullave të trafikut (Tetovë – 46, Gostivar – 52).

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori