Valdet Xhaferi publikon videon e betejës: “Një triumf për diasporën shqiptare”

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer mërgimtarët si banorë rezidentë të vendit, kryetari i degës së BDI-së në Gostivar, Valdet Xhaferi, ka publikuar një video që dokumenton peripecitë dhe përpjekjet për të kundërshtuar vendimin e qeverisë aktuale për fshirjen e diasporës nga evidencat rezidente, njofton Flaka.

Në këtë video, Xhaferi rikujton kontributin e këshilltarëve komunalë të BDI-së, denoncimet publike, si dhe iniciativën e deputetit të Frontit Evropian, Skender Rexhepi – Zejdi, për të ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese.

“Beteja për ta rikthyer diasporën si pjesë e popullatës rezidente ka nisur para një viti, menjëherë pas vendimit të qeverisë VMRO-VLEN për ta fshirë atë nga evidencat,” deklaroi Xhaferi për Flaka.

Sipas tij, ky vendim do të kishte pasoja të mëdha për komunitetin shqiptar dhe për përfaqësimin real në nivel lokal e shtetëror:

“Ata tentuan ta zhveshin vendbanimin shqiptar nga pjesa më e vyeshme e popullatës – mërgatën tonë. Pasojat do të ishin fatale në çdo drejtim,” shton ai.

Xhaferi e konsideron vendimin e fundit të Gjykatës si një fitore të madhe për diasporën shqiptare:

“Ky është një triumf mbi padrejtësinë, mbi përjashtimin dhe mbi tentativat për ta heshtur kontributin e mërgatës. Është një fitore që i takon çdo shqiptari jashtë vendit që nuk ka harruar rrënjët,” përfundon Xhaferi.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori