Farije Adili, drejtuese e deritanishme e Institutit Nacional – Qendra për Kulturë në Gostivar, ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e saj pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Adili përmes një deklarate publike, ku thekson se ky vendim vjen pas një periudhe të rëndësishme pune dhe përkushtimi në shërbim të kulturës dhe qytetarëve të Gostivarit.
“Kam dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen time… duke përmbyllur një periudhë të rëndësishme të jetës sime si drejtoreshë e Qendrës për Kulturë në Gostivar”, shkruan ajo, duke e cilësuar detyrën e saj jo thjesht si funksion administrativ, por si një mision me përgjegjësi të madhe.
Adili shprehet krenare për arritjet gjatë mandatit të saj, duke përmendur projektet zhvillimore dhe aktivitetet kulturore që kanë gjallëruar institucionin dhe qytetin:
“Kam synuar që Qendra për Kulturë të jetë një institucion i hapur, transparent, i drejtë dhe gjithëpërfshirës – larg ndikimeve politike dhe gjithmonë në shërbim të përbashkët.”
Ajo veçon me krenari përmirësimet në infrastrukturë dhe funksionalitet të Qendrës për Kulturë, si dhe transformimin e Bibliotekës së Qytetit, të cilën e cilëson si “një hapësirë që ngjan me bibliotekat bashkëkohore dhe që i shërben me përkushtim dijes dhe lexuesve të çdo moshe”.
Në deklaratën e saj, Adili shpreh mirënjohje për bashkëpunëtorët dhe udhëheqësit që e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj profesional. Ajo falënderon liderin e Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, “për besimin dhe lirinë që më dha për të vepruar me dinjitet profesional”, si dhe kryetarin aktual të Komunës së Gostivarit, z. Valbon Limani, “për pjesëmarrjen e vazhdueshme në çdo aktivitet kulturor të rëndësishëm, pa dallim nacionaliteti”.
Duke pranuar se mund të ketë pasur lëshime gjatë mandatit të saj, ajo thotë:
“Gjithçka që është bërë – është bërë me ndërgjegje të pastër, me dashuri të sinqertë dhe me bindjen se çdo hap kishte për qëllim të mirën e Gostivarit dhe të gjithë qytetarëve të tij.”
“Largohem nga kjo pozitë me dinjitet, me krenari dhe me dashurinë e pandryshuar për kulturën, që do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës dhe misionit tim personal”, përfundon Farije Adili deklaratën e saj, e cila është pritur me reagime pozitive në rrjetet sociale dhe qarqet kulturore të qytetit.