Komuna e Gostivarit ka nisur zyrtarisht punën për hartimin e një Plani Veprimi për Ndryshimet Klimatike, me mbështetje nga ekspertë të fushës. Kjo iniciativë është pjesë e një projekti ndërkombëtar me fokus në mbrojtjen e zonave urbane nga efektet e ndryshimeve klimatike.
“Nature IPA Interreg”, bartësi i projektit me seli në Itali, ka organizuar edhe një vizitë studimore për ekipin nga Komuna e Gostivarit, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive praktike.
Si pjesë e projektit, do të realizohet edhe një studim i posaçëm për identifikimin e zgjidhjeve më efikase për mbrojtjen e qytetit nga ndikimet klimatike, me theks të veçantë në rreziqet nga përmbytjet.
“Projekti do të na ndihmojë në parandalimin e efekteve negative klimatike në zona të ndryshme urbane. Do të zbatohen zgjidhje të bazuara në natyrë (Nature-based solutions), prej të cilave përfituesit kryesorë do të jenë grupet më të rrezikuara të popullatës,” thuhet në njoftimin e komunës.
Ky angazhim i ri i Gostivarit është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit në nivel lokal, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane. Gostivari Sot