Dijar Ademi fiton vendin e parë në Olimpiadën Junior të Matematikës 2025 në Maqedoninë e Veriut

Dijar Ademi ka zënë vendin e parë në Olimpiadën e 29-të Junior të Matematikës (JMMO 2025) në Maqedoninë e Veriut, duke grumbulluar gjithsej 35 pikë, njofton Portalb.mk.

Kjo olimpiadë mblodhi 35 garues nga e gjithë vendi nën moshën 15.5 vjeç, të cilët konkurruan për të treguar aftësitë e tyre në fushën e matematikës. Ademi u rendit në mesin e 18 nxënësve më të mirë, të cilët më 2 qershor do të marrin pjesë në testin përzgjedhës për përfaqësimin e vendit në Olimpiadën Ballkanike për të Rinj (JBMO 2025), që do të mbahet në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematike në Shkup.

Në një prononcim për Portalb.mk, Dijar Ademi u shpreh:

“Që nga viti i kaluar unë e mora motivimin vet, që çdo ditë të mësoj matematikë nga dy orë në ditë. Ky mësim i përditshëm, me detyra nga gara të ndryshme ndërkombëtare, më ndihmoi që në këtë olimpiadë t’i përfundoj katër detyrat e para për vetëm dy orë. Ky ishte çelësi i suksesit tim.”

Ai theksoi se puna e përditshme dhe përkushtimi janë elementet kyçe për të arritur suksesin, duke shtuar:

“I vetmi çelës i suksesit është që secili që dëshiron të arrijë diçka, duhet të mësojë çdo ditë deri në arritjen e qëllimit.”

Ademi bëri thirrje për më shumë gara të tilla në vend, duke i vlerësuar si të rëndësishme për motivimin dhe zhvillimin e të rinjve në shkencë:

“Do të ishte mirë të ketë më shpesh gara sfiduese me nxënës të talentuar dhe detyra interesante, që të gjithë të kenë motivim dhe dëshirë për të avancuar.”

Drejtoresha e Shkollës së Matematikës “Digitime” dhe njëherësh nëna e Dijarit, Vlora Ademi, u shpreh për Portalb.mk se është e lumtur dhe krenare me suksesin e djalit të saj:

“Puna e Dijarit që po bënte këto tre-katër vitet e fundit u shpërblye. Kjo më bën të lumtur që kemi një shembull që do të shërbejë për të rinjtë.”

Ajo shtoi se gara të tilla janë një trampolinë drejt sukseseve më të mëdha:

“Këto gara janë një mekanizëm i fortë që të çojnë drejt majave të suksesit, deri në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës.”

Suksesi i Dijar Ademit është një dëshmi se përkushtimi dhe dashuria për dijen janë bazat e suksesit, dhe një shembull frymëzues për të gjithë të rinjtë që synojnë të shkëlqejnë në fushat shkencore.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori