KF Arsimi shkruan histori – ngjitet në Ligën e Parë të futbollit

Sot, futbolli gostivaras feston një arritje historike: KF Arsimi nga Çegrani është zyrtarisht pjesë e Ligës së Parë republikane të futbollit! Një ëndërr e gjatë për klubin, tifozët dhe gjithë komunitetin është bërë realitet, njofton Flaka

Me zemër, disiplinë dhe vendosmëri, KF Arsimi arriti ta sigurojë kualifikimin në elitën e futbollit vendor, duke vulosur një kapitull të ri për veten dhe për gjithë rajonin. Suksesi është përshëndetur nga figurat kryesore politike të Gostivarit, të cilët kanë shprehur mbështetjen dhe krenarinë për këtë arritje.

Arben Taravari, lider i Aleancës për Shqiptarët, shkroi:

“KF Arsimi hyn në Ligën e Parë! Krenari dhe gëzim! Urime!”

Valdet Xhaferi, kryetar i BDI-së në Gostivar, tha:

“Me përkushtim, disiplinë dhe zemër, ju keni arritur një sukses të jashtëzakonshëm – ngjitjen e merituar në Ligën e Parë. Urime lojtarëve, stafit, tifozëve dhe gjithë Çegranit e Gostivarit – ky sukses është i juaji!”

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, theksoi:

“KF Arsimi ka bërë krenar jo vetëm Çegranin por çdo gostivaras! Urime për aderimin në Ligën e Parë!”

Gëzimi ka përfshirë jo vetëm Çegranin, por edhe Forinën dhe gjithë Gostivarin. Klubi shpërtheu me emocion:

“JEMI NË LIGË TË PARË! Gëzohu Çegran, gëzohu Gostivar, gëzohu Forinë, gëzohuni të gjithë! Arsimi shkruan histori!”

H. Sabahudin ef. Zendeli, Muftiu Muftinisë së BFI – Gostivar:

Urime të përzemërta për suksesin historik të KF “Arsimi” të Çegranit për kualifikimin në Ligën e Parë të Futbollit të RMV!

Në emër të Muftinisë së BFI-së në Gostivar, shprehim krenarinë dhe gëzimin tonë për këtë arritje të madhe që nderon gjithë Çegranin dhe Gostivarin. Falënderojmë kryesinë e klubit, trajnerin, lojtarët dhe sponsorët për përkushtimin e treguar.

Urojmë suksese të mëtejme në elitën e futbollit vendor!

Tifozët dhe banorët janë ftuar që në orën 21:00 në Shkollën Periferike – Stadiumi me bar artificial, për të pritur heronjtë dhe për të festuar këtë triumf të merituar si një komunitet i bashkuar.

KF Arsimi, krenaria e Çegranit, tashmë është emër i Ligës së Parë – një hap gjigant për futbollin lokal dhe një shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Urime dhe suksese në elitë! Gostivari Sot

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Më shumë nga Autori