Ka përfunduar dhe është vënë në funksion rikonstruksioni i Infeksioneve të Sistemit Nervor Qendror dhe Reparti i Kujdesit Intensiv të Klinikës Infektive.
Drejtori i klinikës, Fadil Cana, deklaroi se aparaturat e reja që janë blerë do t’ua lehtësojnë punën mjekëve që do të punojnë me to për diagnostikim më të shpejtë dhe më efikas. Cana theksoi gjithashtu se aktualisht po përballen me mungesë të stafit për të punuar me ta, por pret që zbrazëtirat të plotësohen në bashkëpunim me institucionet.
“Është sekret publik që personeli mjekësor po rrallohet çdo ditë e më shumë në vend, ndaj me përpjekje të përbashkëta pres që të kemi punësime të reja për të rritur resurset e stafit në klinikë, për këtë arsye aktualisht kemi mungesë”, tha Cana.
Ministri Taravari vlerësoi se Klinika Infektive tani duket më mirë se çdo spital tjetër privat ku ka qenë ndonjëherë dhe tha se mund të shërbejë si model për klinikat e tjera.
“Pikërisht në periudhën kur po fillojmë rikonstruksionin e KARIL-it dhe klinikave kirurgjikale dhe kur KARIL-it do t’i duhet rezervë, edhe disa shtretër, të paktën për trajtimin e pacientëve që janë pacientë internist dhe ne mund të kujdesemi për ta në këtë pavion që tashmë duket perfekt”, shtoi Taravari.
Taravari falënderoi në mënyrë të veçantë gjithë stafin mjekësor që ka trajtuar pacientët me COVID në këtë klinikë për gati pesë vjet.