Sot më 25 shkurt 2025 – e martë, në hapësirat e SHMI MEDRESEJA ISA BEU – Paralelja e Vajzave në Gostivar, në prezencë të të gjitha strukturave të Muftinisë së BFI – Gostivar, të udhëhequra nga Muftiu H. Sabahudin ef. Zendeli, u mbajt dhe u realizua mbledhja e Kuvendit të Muftinisë së Gostivarit me imamë, vaizë, hatibë, mualimë, muezinë, këshilla të xhamive dhe shumë anëtarë tjerë.
Mbledhja filloi me lexim Kur’ani nga Xhihad ef. Bajrami, muezin në Xhaminë e Kadrit në Gostivar. Mbledhjen e shpalli të hapur referenti h. Mallzim ef. Zendeli për t’ia kaluar fjalën e rastit Muftiut H. Sabahudin ef. Zendeli. Ai në fjalën e tij, para Kuvendit prezentoi raportin e të gjitha aktiviteteteve të Muftinisë të cilat u realizuan gjatë vitit 2024.
Muftiu potencoi se me këtë raport, në nivel qendror të Bashkësisë Fetare Islame, Muftinia jonë mban numrin rekord me të gjitha kontributet e saja, si në: sadekatul fitër, zekat, ndihma për Medresenë, taksat fetare, fitretul kefaretet, anëtarësinë e shumë elemente tjera.

Të gjitha këto u arritën së bashku me të gjithë ju të nderuar, që nuk e keni kursyer veten tuaj me angazhimin dhe potencialin tuaj intelektual, organizativ dhe kontribuues, dhe me mbështetjen e parezervë dhe të fuqishme të Reisul Ulemasë së BFI, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu – tha mes tjerash Muftiu H. Sabahudin ef. Zendeli.
Ai më tej para të pranishmëve prezantoi edhe plan programin e Muftinisë së BFI- Gostivar për mikëpritjen e muajit të bekuar Ramazan 2025/1446 h. Në vazhdën e tij, Muftiu tha se tashmë janë bërë të gjitha video içizimet të cialt do të emetohen për çdo natë në eterin televiziv me ligjërata si dhe me lexim Kur’ani nga nxënësit e Institutit të Hifzit dhe bukurleximit të Kur’anit Famëlartë në Gostivar, studentë të Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup dhe Medresesë ISA BEU.
Më tej, Muftiu potencoi edhe konkluzat e Rijasetit të BFI e RMV, në lidhje me të gjitha aktivitetet për muajin Ramazan. Ai potencoi se edhe gjinia femërore do të jenë të përfshira në aktivitetet e Muftinisë me ligjëratat e tyre pothajse në të gjitha xhamitë dhe me lexim të mukabeles.
Gjithashtu, tradita do të vazhdojë edhe me Mukabelen Qendrore të cilën e organizon Muftinia ndër vite e që jepet live në rrjetet sociale.
Në mbyllje, u përmend edhe kategorizimi i sadekatul fitrit për këtë Ramazan edhe atë: 300 denarë, 400 denarë 500 denarë dhe 600 denarë.
Në shenjë falënderimi publik, koordinatori i SHMI Medreseja ISA BEU-Gostivar, Prof. Afrim Alija, në emër të nxënëseve, stafit edukativo-arsimor dhe strukturave të Medresesë, i dhuroi Muftiut një punim të veçantë nga nxënëset për mbështetjen e parezervë të Muftinisë ndaj kësaj vatre arsimore.
Në këtë takim, u bë edhe shpërndarja e imsakijeve, raporteve të vitit 2024 dhe programeve të Ramazanit 2025 dhe në shenjë mirënjohjeje u shtrua edhe drekë solemne.