Gostivar, 29 tetor 2026 – Në hapësirat e Qendrës për Kulturë “ASNOM” në Gostivar, sot, duke filluar nga ora 11:00, u mbajt punëtoria edukative me temë “Biblioterapia dhe shëndeti mendor”, me pjesëmarrjen e nxënësve të SHMK “Gostivar”.
Gjatë punëtorisë, mr. Teuta Osmani, këshilltare bibliotekiste, shtjelloi rolin e bibliotekave dhe të teknologjisë së informacionit (IT) në bibliotekari, duke theksuar rëndësinë e tyre jo vetëm në ofrimin e qasjes në libra dhe burime të ndryshme informacioni, por edhe si hapësira për edukim, komunikim, përfshirje sociale dhe zhvillim personal.

Ndërkaq, mr. Alije Aliji, psikologe klinike, foli për rëndësinë e biblioterapisë dhe ndikimin pozitiv të leximit në shëndetin mendor. Ajo trajtoi mënyrën se si librat mund t’i ndihmojnë individët në përballimin e emocioneve negative dhe në zhvillimin e një mirëqenieje më të mirë psikologjike.
Sipas bartësit të projektit, Semir Aliji, qëllimi i punëtorisë ishte që pjesëmarrësit të njihen me konceptin dhe parimet bazë të biblioterapisë dhe shëndetit mendor, të kuptojnë ndikimin e leximit në mirëqenien emocionale dhe zhvillimin personal, si dhe të promovojnë biblioterapinë si metodë ndihmëse në procesin e zhvillimit personal, arsimor dhe psikologjik.
Projekti u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gostivari Sot



