Spitali i Gostivarit përmirëson ndriçimin në hapësirat e jashtme për më shumë siguri

Spitali i Gostivarit po vazhdon investimet në përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve në hapësirat e jashtme të institucionit. Pas vendosjes së ndriçimit solar në disa pjesë të oborrit, sot është realizuar ndriçimi edhe në zonat e tjera, përfshirë hapësirat ku lëvizja e pacientëve, familjarëve dhe personelit shëndetësor është e përditshme.

Sipas njoftimit të drejtorit të Spitalit të Gostivarit, Subspecialistit, Spec. Dr. Emri Bajrami, ky investim ka për qëllim krijimin e kushteve më të mira dhe rritjen e sigurisë për të gjithë ata që frekuentojnë ambientet e spitalit, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës.

„Ky investim ka për qëllim të krijojë kushte më të mira dhe, mbi të gjitha, të mundësojë lëvizje më të sigurt gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës“, thuhet në njoftimin e drejtorit Bajrami.

Ai thekson se përdorimi i ndriçimit solar paraqet një zgjidhje efikase dhe ekonomike, pasi kontribuon në kursimin e energjisë elektrike dhe mbrojtjen e mjedisit.

„Ne vazhdojmë të punojmë me përkushtim për përmirësimin e infrastrukturës dhe të çdo hapësire të Spitalit, me synimin që pacientët, familjarët dhe punonjësit të kenë një ambient sa më të sigurt, funksional dhe të përshtatshëm“, thuhet më tej në njoftim.

Drejtori Bajrami e përmbyll mesazhin me moton: „Më shumë ndriçim, më shumë siguri dhe kushte më të mira për të gjithë.“ Gostivari Sot