Forina zgjon shpresën: Mbi 20 mërgimtarë kthehen përfundimisht në vendlindje

Një lajm inkurajues vjen nga fshati Forinë i Gostivarit, ku gjatë dy-tre muajve të fundit janë kthyer më shumë se 20 bashkëfshatarë nga Gjermania dhe Kroacia. Kthimi i tyre po shihet si një shenjë shprese për të ardhmen e vendbanimit dhe si një dëshmi se lidhja me vendlindjen vazhdon të mbetet e fortë, pavarësisht viteve të kaluara në mërgim.

Lajmin e ka bërë të ditur aktivisti nga Forina, Hasan Ibraimi, i cili thekson se të kthyerit nuk kanë ardhur vetëm për të qëndruar pranë familjeve të tyre, por kanë plane konkrete për të kontribuar në zhvillimin e fshatit.

Sipas tij, disa prej tyre synojnë të hapin biznese dhe firma në fushat ku kanë përvojë profesionale, duke shfrytëzuar njohuritë dhe përvojën e fituar gjatë qëndrimit në vendet evropiane.

Ky zhvillim sjell një dimension tjetër të dukurisë së migrimit, duke treguar se kthimi nga diaspora mund të shndërrohet në një mundësi për rigjallërimin ekonomik dhe shoqëror të vendbanimeve tona.

Për vite me radhë, shumë fshatra shqiptare janë përballur me zbrazjen e popullsisë, largimin e të rinjve dhe dobësimin e jetës ekonomike e shoqërore. Në këtë realitet, çdo kthim i qëndrueshëm dhe çdo iniciativë për investim në vendlindje merr rëndësi të veçantë.

Rasti i Forinës ngjall shpresën se emigrimi nuk është domosdoshmërisht një rrugë pa kthim. Përvoja, kapitali dhe profesionalizmi i fituar jashtë vendit mund të kthehen në potencial zhvillimor për vendin prej nga kanë ardhur.

Mbetet të shihet nëse ky trend do të vazhdojë dhe nëse shembulli i Forinës do të ndiqet edhe nga vendbanime të tjera shqiptare.

Sepse, në fund të fundit, kthimi në vendlindje nuk është vetëm rikthim në një adresë, por edhe një mundësi për t’i dhënë jetë sërish komunitetit ku ke rrënjët. Gostivari Sot