Zv.minisri Abedini: Zhvillimi i ekonomive bujqësore familjare është i një rëndësie të veçantë

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 10 Janar, 2023 14:54

Zv.minisri Abedini: Zhvillimi i ekonomive bujqësore familjare është i një rëndësie të veçantë

T&S

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave është ndër ministritë më aktive e përbërjes qeveritare aktuale. Mes të tjerash u krijua plani kombëtar për prodhimin e ushqimit si dhe modeli i ri i subvencionimit.

Programa për zhvillim rural gjithashtu u ndryshua me shumë masa të reja. Për ndryshimet e propozuara në ligjin për tokën bujqësore, si dhe Programin i ri IPARD 3, me vlerë 210 milionë euro, diskutojmë me Abdylshyqyr Abedini, zëvendësministër i Bujqësisë nga radhët e partnerit qeveritar, AlternAtivA.

Në intervistën ekskluzive për Agjencinë e lajmeve Flaka dhe rrjetin e mediave elektronike Flaka Media Group – FMG, Abedini përgjigjet për ndikimin e krizës së krijuar nga lufta në Ukrainë, për shqetësimin e fermerëve  se modeli i ri i subvencionimit është i pamjaftueshëm, si dhe për shumë çështje të tjera që lidhen me sferën e bujqësisë. 

Intervistoi: Driton Zenku

Flaka: Bota sot përballet me krizën më të madhe pas Luftës së dytë botërore, përveç krizës energjetike shumë më domethënëse është kriza për ushqim. Çfarë i pret qytetarët, do të ketë sasi të mjaftueshme të ushqimit për këtë dimër? 

Abdylshyqyr Abedini: Lufta në Ukrainë ka qenë arsyeja që shumë vende janë sfiduar në atë se si do ta ruajnë prodhimin e ushqimit vendor dhe si të sigurojnë sasi të mjaftueshme të ushqimit për të gjithë qytetarët.

Me masat e parakohshme që i ndërmorëm para fillimit të krizës, me propozimin e modelit të ri e stabilizuam prodhimin ushqimor të vendit, siguruam rendiment më të lartë dhe qëllimi është të sigurojmë sasi të mjaftueshëm të ushqimit vendor.

Ishte një periudhë e vështirë për ne, por në kohë të duhur ndërmorëm masa, çdo ditë e ndjekim situatën dhe së bashku me femerët krijojmë masa për mbështetje. 

Flaka: Si ministri krijuat planin kombëtar për prodhimin e ushqimit, si dhe krijuat fondin e ndërhyrjes për mbështetjen e fermerëve. A ka filluar zbatimi i këtij plani kombëtar, cilët janë rezultatet?

Abdylshyqyr Abedini: Para fillimit të krizës ne si ministri krijuam planin kombëtar për prodhimin e ushqimit, me masa konkrete për mbështetjen e prodhimit të ushqimit vendor, dhe rezultatet nga ky plan janë të dukshëm. Planin kombëtar për prodhimin e ushqimit e kemi pregaditur bashkërisht me bujqit. 

Krijimi i fondit ndërhyrës kishte për qëllim mbështetjen e bujqve në furnizim me plehrat artificial për grurin, misrin, elbin dhe lulediellin. 

Nëpërmjet fondit ndërhyrës siguruam deri në 40% mbështetje për furnizim me plehrat artificial për prodhuesit e drithërave, veçanërisht 4000 denarë për grurin dhe 2500 denarë mbështetje për elbin dhe lulediellin. Këtë masë deri tani e kanë shfrytëzuar 6.815 fermerë, me vlerë të mbështetjes prej 112.9 milionë denarë. 

Në fondin ndërhyrës është e paraparë mundësia e pagesës më të shpejtë të mjeteve në një periudh më të shkurt kohore, pagesa për prodhuesit e qumështit të bëhet rregullisht në fund të muajit si dhe mundësia e mbështetjes financiare për blerjen e plehut artificial dhe gjethor. 

Flaka: U krijua model i ri i subvencionimit, cfarë ka të re në këtë mënyrë subvencionimi? Tregoni ndryshimet kryesore? 

Abdylshyqyr Abedini: Ne po e zëvendësojmë sistemin e vjetër të subvencionimit, ku fermerët merrnin subvencione pa treguar që kanë arritur  prodhim duke e zëvendësuar në sistem të ri decoupling, ku fermerët do të duhet të dëshmojnë se kanë arritur dhe kanë dorëzuar prodhim. Modeli i ri i subvencionimit që ne propozojmë nuk shkurton mbështetjen e mëparshme që merrnin fermerët, por rishpërndahet në disa programe mbështetëse. Modeli i ri i subvencionimit është sistem më i organizuar, ku do të ketë kontrollim më të madh, duke ulur kështu mundësinë e ekonomisë gri. Modeli i ri i propozuar ofron zgjidhje për të gjitha dobësitë që kishte modeli i mëparshëm, pagesa për fermerët do të jetë më e shpejtë dhe në kohë. Modeli i propozuar garanton rezultate më të mira dhe garanton prodhim më të madh të ushqimit vendas. Jam i bindur se do të arrijmë rezultatet e pritura, sepse këtë model të propozuar po e krijojmë së bashku me fermerët, me përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në të gjithë këtë proces, që nga Këshilli Bujqësor, pastaj përmes grupeve të nënsektorëve, shumë takime dhe biseda në terren, të gjitha me synimin për të krijuar një modeli të ri subvencionimi të pranueshëm për të gjithë fermerët. Me modelin e ri që ne propozojmë, të gjithë fermerët marrin subvencionimin bazë për ruajtjen e tokës në gjendje të punueshme dhe këtë subvencionim bazë do ta marin paraprakisht, menjëherë pas aplikimit nëse plotësojnë kushtet minimale të përcaktuara. Ata fermerë që prodhojnë kultura apo produkte të rëndësishme, pra kultivojnë tokën, arrijnë një rendiment dhe ia dorëzojnë të gjithë prodhimin objekteve të regjistruara vendase, marrin një subvencion shtesë.

Ne themi që i gjithë prodhimi vendas të përfundojë në objektet vendase, kjo është e përgjegjshme dhe e ndershme ndaj të gjithë qytetarëve, sepse mbështetja që ne u japim fermerëve vjen nga buxheti i qytetarëve. Në të njëjtën kohë që themi se i gjithë prodhimi do të duhet t’i dorëzohet objekteve vendase, themi gjithashtu se të njëjtat objekte tani do të duhet të vlerësojnë më realisht vështirësitë bujqësore dhe shpenzimet që kanë fermerët, duke dhënë çmime blerjeje reale dhe të pranueshme. Çdo fermer që prodhon kultura dhe produkte të rëndësishme dhe e përdor prodhimin e tij bujqësor për nevojat e veta në prodhimin e një produkti final, do të ketë gjithashtu mundësinë të marrë subvencionimin shtesë. Kontrolli do të jetë më i madh dhe do të mund të dimë saktësisht se cila tokë bujqësore është kultivuar.

E reja në prodhimtarinë blegtorale është se me modelin e ri propozojmë subvencionimin të krerëve riprodhues të bagëtive më të vjetra se 1 vit, ku subvencionet i rrisim në 100 për qind. Gjithashtu, në blegtori parashikojmë një sistem për pagesë më të shpejtë të qumështit të prodhuar dhe të dorëzuar në objektet e regjistruara të prodhimit, ku planifikojmë ta bëjmë një herë në muaj. Tani, me propozimin e modelit të ri, ne u japim përparësi kulturave dhe produkteve të rëndësishme për shtetin, ku mbështetja financiare është rritur, pra mbështesim më shumë atë që kërkon tregu. Në këtë mënyrë, ne po krijojmë një qasje strategjike që do të nxisë rritjen ekonomike të vendit, do të ulë varësinë e importit nga produktet strategjike dhe do të rrisë produktivitetin.

Mbështetja për vajin e gjelbër mbetet tek të gjithë fermerët, e cila këtë vit është deri në 50%, dhe me ndryshimet ligjore kemi bërë të mundur që të arrijmë deri në 100%.

Masa të reja parashikohen në programin për zhvillimin rural, i cili shndërrohet në një program investimi dhe ku prioritet në masa u japim atyre fermerëve që kanë aktivitet kryesor pikërisht bujqësinë. Një plan biznesi në bujqësi, shërbime këshillimore dhe bujqësi inteligjente janë vetëm një pjesë e masave të reja të parashikuara në programin për zhvillimin rural.

Për herë të parë po krijojmë edhe disa programe të reja për të mbështetur fermerët. Programi për blerjen e frutave të freskëta, perimeve, qumështit dhe produkteve të qumështit do të ndihmojë në blerjen e produkteve bujqësore vendase, si dhe do të sigurojë një meze të lehtë për nxënësit e shkollave fillore. Gjithashtu po krijojmë një program të ri për të mbështetur prodhuesit e vegjël ushqimorë, me grant deri në 10,000 euro për blerjen e pajisjeve për prodhim. Në periudhën në vijim duam të inkurajojmë zhvillimin e 2000 bizneseve të reja të vogla familjare që do të regjistrohet në AUV duke prodhuar marka të reja tradicionale.

Përmes këtij programi parashikojmë mbështetje prej 3 milionë denarë për kooperativat ekzistuese dhe 1.500.000 denarë për kooperativat e sapoformuara.

Gjithë ky model i ri ka një qëllim, të sigurojë prodhim të qëndrueshëm të ushqimit vendor.

Flaka: A prisni që një model i i ri i tillë të përmirsojë çmimin e blerjes së produkteve bujqësore që fermerët marrin nga blerësit. 

Abdylshyqyr Abedini: Detyra jonë si ministri është të kujdesemi për fermerët që të kenë prodhim stabil, të ndihmojmë në uljen e shpenzimeve që i kanë. Për atë qëllim u krijua fondi ndërhyrës që i ndihmon bujqit të kenë më pak shpenzime në kushte të krizës. Këtë vit çmim të mirë kanë edhe kulturat dithërore si gruri dhe elbi.

Me modelin e ri të subvencionimit japim më shumë mbështetje për prodhimet strategjike me detyrë që fermerët të gjithë prodhimin vendor ta dorëzojn në objektet vendore. 

Flaka: Programa për zhvillim rural gjithashtu u ndryshua me shumë masa të reja. Një ndër masat e reja në programë është masa për planin e biznesit në bujqësi, çfarë përfitojn bujqit me këtë masë të re? 

Abdylshyqyr Abedini: Masa të reja parashikohen në programin për zhvillimin rural, i cili shndërrohet në një program investimi dhe ku prioritet u japim atyre fermerëve që kanë aktivitet kryesor pikërisht bujqësinë. Një plan biznesi në bujqësi, shërbime këshillimore dhe bujqësi inteligjente janë vetëm një pjesë e masave të reja të parashikuara në programin për zhvillimin rural.
Shpallja publike për masën plani i biznesit do të jetë i hapur gjatë gjithë vitit ku fermerët do të kenë mundësi të aplikojnë për furnizimin me pajisje për prodhim dhe përpunimin e produkteve finale. Shfrytëzues të kësaj mase të re janë bujqit individual që veprimtari kryesore e kanë bujqësinë. Shuma maksimale e mbështetjes për shfrytëzues është 600.000 denarë, me bashkëfinancim deri në 50% prej shumës të shpenzimeve të pranuara.

Japim mundësi që të rritet vlera e bashkëfinancimit deri në 10% te ato plane të biznesit ku investimi do të jetë në burimet e rinovueshme të energjisë. 

Zv.minisri Abedini: Nuk do tu hiqen qytetarëve tokat bujqësore private

Flaka: Pas frikës së shprehur publikisht të një pjesë të fermerëve se do të mbeten pa tokat e tyre bujqësore zv. Abedini siguron se me modelin e ri të subvencionimit asgjë nuk do të shkurtohet dhe askush nuk do të dëmtohet. 

Abdylshyqyr Abedini: Ne si ministri nuk kemi ndërmend dhe as nuk mund t’u heqim qytetarëve tokat bujqësore private. Synimi ynë i vetëm është që çdo pëllëmbë tokë të vihet në funksion për prodhim të ushqimit, fermerët nuk humbasin asgjë, me modelin e ri të subvencionimit nuk shkurtohet asgjë nga përkrahjet e mëparshme përkundrazi, ai riorganizohet në disa programe mbështetëse të cilat duhet të jenë më efikase. 

Krenar për faktin se vendi është lider në shfrytëzimin e fondeve nga programi IPARD, ai thekson se përmes programit IPARD, me
pjesëmarrjen e shtetit dhe pjesa e bashkëfinancimit, në shtatë vitet e ardhshme bujqësia do të ketë në dispozicion 210 milionë euro. 

Koncepti i ri si projekt pilot këtë vit është aplikuar për lulediellin dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyera, duke dyfishuar rendimentin dhe i gjithë prodhimi ka përfunduar në objektet vendore.

Zv.minisri Abedini: Krenar për faktin se vendi është lider në shfrytëzimin e fondeve nga programi IPARD

Flaka: Programi i ri IPARD 3, me vlerë 210 milionë euro, synon zhvillimin e vendit në shtatë vitet e ardhshme. Cilat janë pritshmëritë në përgjithësi, a ka parashikime për shkallën e dëshiruar të suksesit? 

Abdylshyqyr Abedini: Maqedonia e Veriut është vendi lider në shfrytëzimin e mjeteve nga programi IPARD. Ne kemi lidhur gjithsej 2335 kontrata përmes programit aktual IPARD 2. Kjo më bën veçanërisht krenar, sepse nuk ka qytet apo fshat në vend ku do të kalonit pa parë shenjë se një projekt është realizuar me fonde nga programi IPARD. Nëse dikur kishte fonde të papërdorura nga ky program, për të cilin shteti paguante edhe gjoba, sot kemi pothuajse 99% zbatim të programit, madje kërkojmë që të na vihen në dispozicion fonde shtesë. Për këtë arsye Komisioni Evropian vendosi të rrisë me 62% fondet për programin e ri IPARD 3. Me programin IPARD 2 kishim 60 milionë euro fonde evropiane në dispozicion dhe tani me programin e ri IPARD 3 arrijnë në 97 milionë euro ose në total bashkë me pjesëmarrjen e shtetit dhe pjesën e bashkëfinancimit në dispozicion për investimet në 7 vitet e ardhshme përmes programit IPARD 3 kemi 210 milionë euro. Po shqyrtojmë edhe mundësinë e një paradhënieje prej 50% të vlerës së mbështetjes financiare. 

Kemi bërë gjithashtu një rritje të pragut të shpenzimeve minimale të pranueshme për
projekt për masat 1, 3 dhe 7 të programit IPARD 3, pra deri në 10.000 euro për masën 1 investime në mjete bazë të ekonomive bujqësore, pastaj deri në 20.000 euro për masën 3 investime në mjete bazë për përpunimin dhe tregtimin e bujqësisë dhe produktet e peshkut dhe deri në 5000 euro për masën 7 diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve. Pritshmëritë janë që në shtatë vitet e ardhshme të përsërisim suksesin dhe të jemi sërish lider në vend për sa i përket shfrytëzimit të këtyre fondeve që kemi në dispozicion për investime përmes programit IPARD. Ajo që po bëjmë është edhe demarkacioni i programit për zhvillim rural dhe programit IPARD, pra po e vëmë në dispozicion programin për zhvillim rural për mbështetjen e investimeve për fermat më të vogla, ndërsa programi IPARD do të jetë në dispozicion për investime për fermat më të mëdha. Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural deri më tani ka realizuar me sukses programin IPARD 2 dhe jam i bindur se do të kemi sukses edhe më të madh dhe interesim edhe më të madh me programin e ri IPARD 3. 

Flaka: Ndryshimet e propozuara në ligjin për tokën bujqësore janë mjaft rigoroze në disa pjesë, kështu që për shembull, në një nga dispozitat thuhet se tokat që nuk do të kultivohen për 12 muaj radhazi, edhe pse janë private, do të jepen me qira për montimin e paneleve fotovoltaike. Cila ishte arsyeja e vendimeve të tilla dhe a mendoni se një rigorizëm i tillë do të sjellë efektet e pritshme pozitive? 

Abdylshyqyr Abedini: Fillimisht dua t’i sqaroj menjëherë gjërat për të informuar sa duhet qytetarët. Ne si ministri nuk kemi ndërmend dhe as nuk mund t’u heqim qytetarëve tokat bujqësore private. Qëllimi ynë i vetëm është që çdo pëllëmbë tokë të punohet për prodhimin e ushqimit. Analizat kanë treguar se kemi rreth 90 mijë hektarë tokë bujqësore që është në pronësi private, e cila është ende e papunuar. Pjesa më e madhe e kësaj toke është e cilësisë së mirë dhe nuk përdoret për prodhim ushqimor. Edhe tani pronarët kanë mundësi ta kultivojnë vetë tokën, t’ia japin me qira dikujt tjetër për ta kultivuar por në shumicën e rasteve pronarët vendosin ta shesin këtë tokë dhe ta kthejnë nga bujqësore në tokë ndërtimi. 

E përsëris edhe një herë, synimi ynë është që këto toka bujqësore t’i vëmë në punë për prodhim ushqimor, në mënyrë që pronari të mund ta kultivojë sërish tokën vetë, ose me pëlqimin e tij shteti ta japë me qira nëpërmjet një shpallje publike, dhe pronarit do t’i paguhet 80% e qirasë. Vetëm këtë vit kemi shpallur shtatë shpallje publike, përmes të cilave kemi vënë në dispozicion 14 mijë hektarë tokë bujqësore shtetërore, një pjesë e madhe e të cilave është rezervuar për përpunimin e drithërave. Interesi i fermerëve ka qenë i lartë dhe rekord, dhe janë lidhur 2000 kontrata për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore. Kjo do të thotë se vetëm me këto njoftime kemi garantuar sipërfaqe të reja për përpunimin e drithërave dhe kulturave të tjera afatgjatë, që do të thotë se do të kemi edhe prodhim më të madh ushqimor vendor. Në atë drejtim është edhe ky koncept i vënies në punë të tokës bujqësore private, për të siguruar tokë të re të punueshme, për të rritur edhe më shumë prodhimin vendor, dhe për të pasur prodhim afatgjatë të qëndrueshëm ushqimor. 

Nëpërmjet politikave dhe masave korrekte, në vetëm tre vjet, arritëm ta kthejmë elbin nga një kulturë e varur nga importi në një kulturë për prodhimin vendor. Këtë ia dolëm këtë vit me lulediellin, ku dyfishuam rendimentin dhe plotësuam nevojat e brendshme, si dhe shënuam rritje të grurit. Pres që ky koncept të pranohet nga qytetarët, sepse me të nuk po dëmtojmë askënd, por përkundrazi duam të rrisim prodhimin vendor të ushqimit dhe të hedhim çdo pëllëmbë tokë në përpunim. Natyrisht, në periudhën në vijim do t’ua prezantojmë edhe më shumë dhe do t’i njoftojmë me të gjitha detajet që planifikojmë, në mënyrë transparente dhe me debat, siç bëjmë për çdo masë që kemi. 

Flaka: Një numër i madh i fermerëve tashmë kanë reaguar se modeli i ri i subvencionimit është i pamjaftueshëm dhe nuk do t’i motivojë ata të rrisin prodhimin e ushqimit. Ata bëjnë të ditur se do të heqin dorë nga subvencionet nëse shteti i kushtëzon. A mendoni se ka vend për një zgjidhje të pranueshme reciprokisht? 

Abdylshyqyr Abedini: Çdo ditë jam në terren dhe i prezantojmë të gjithë fermerëve modelin e ri të subvencionimit dhe mbështetja për modelin e ri nga fermerët është e madhe. Ky propozim i ri ka shumë mbështetje nga fermerët, sepse është krijuar dhe përgatitur me ta. Më lejoni t’ju kujtoj fillimisht se ky propozim i është dorëzuar Këshillit Bujqësor, organit më të lartë të bujqësisë, ku marrin pjesë fermerë, shoqata bujqësore, komuniteti shkencor, dhomat e tregtisë dhe të gjithë njëzëri ranë dakord që koncepti që ne propozojmë është mirë dhe se i jep një përgjigje të gjitha dobësive të identifikuara deri tani nga sistemi ekzistues i subvencioneve. Më pas modeli u shqyrtua në detaje nga të gjithë nën-grupet në ministri dhe u përfshinë të gjitha komentet dhe sugjerimet. Kemi ende disa çështje që po i përcaktojmë me nën-grupet, por në parim kemi mbështetjen e të gjithë fermerëve për konceptin dhe mënyrën se si do të zbatohet sistemi i subvencioneve me modelin e ri. 

Më duhet të theksoj se ky është ende një propozim model, i cili është i hapur dhe po plotësohet dhe propozimi përfundimtar do të vendoset sërish nga Këshilli Bujqësor, pasi të kenë kaluar të gjitha prezantimet dhe sërish do të konfirmohet në të gjitha detajet nga grupet e nensektoreve. Kur flasim me fermerët në terren, ka ankesa nga individë që kanë keqkuptuar disa pjesë ose dikush i ka keqinformuar qëllimisht, por pasi u sqarojmë se asgjë nuk po shkurtohet, por përkundrazi po marrin më shumë mbështetje, atëherë edhe ata të cilët kishin paqartësi bien dakord dhe pranojnë modelin e ri të propozuar. Është fakt i padiskutueshëm që asgjë nuk do të shkurtohet dhe askush nuk do të dëmtohet, është buxheti më i madh i planifikuar për vitin 2023 në bujqësi, pikërisht për zbatimin e modelit të ri të subvencionimit dhe programeve të reja të mbështetjes. 

Zv.minisri Abedini:  Për ne, zhvillimi i ekonomive bujqësore familjare është i një rëndësie të veçantë

Flaka: Cila është rëndësia e firmave familjare për bujqësinë e vendit dhe a ka pasur rritje të numrit të tyre kohët e fundit? 

Abdylshyqyr Abedini: Për ne, zhvillimi i ekonomive bujqësore familjare është i një rëndësie të veçantë dhe për këtë arsye, me modelin e ri të propozuar të subvencionimit, parashikojmë programe të reja për mbështetjen e ekonomive të vogla familjare. Po krijojmë edhe programin për financimin e prodhuesve të vegjël të ushqimit, duke dhënë një grant prej 10,000 euro, përmes të cilit presim të inkurajojmë 2000 prodhues të rinj që të regjistrojnë aktivitetin e tyre në AUV dhe të zhvillojnë marka të reja të produkteve tradicionale. . 

Mbështetje prej 40.000 denarë pa kushte shtesë, ofrojmë edhe për fermerët e rinj. Këtu do të përmendja edhe masat për të mbështetur një fermer të ri, si dhe masën për mbështetjen e një gruaje rurale, ku përmes këtyre dy masave ne ofrojmë edhe mbështetje granti për një anëtar të ri apo femër të familjes apo ekonomisë bujqësore dhe mundësinë që përmes këtyre granteve të zhvillojnë dhe modernizojnë prodhimin e tyre bujqësor, ose për të filluar prodhimin e një produkti përfundimtar. Ne jemi të fokusuar në synimin për të zhvilluar me sukses modelin e shitjes derë më derë ose fermë më fermë të produkteve bujqësore të përgatitura nga ekonomitë e vogla bujqësore.

Flaka: Për fund të intervistës, me lejoni të shpreh konsideratën time për gatishmërinë tuaj që të përgjigjeni në pyetjet tona. I sinqert dhe korrekt gjatë gjithë kohës. Mirënjohje dhe suksese gjatë vitit 2023. 

Fotografia: Artin Murati – FLAKA

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 10 Janar, 2023 14:54

03
Jan
Punonjësit policorë të SPB Tetovë-Departamenti i Punëve të Brendshme Gostivar,...
03
Jan
Pjestarët e policisë të SPB Tetovë-Departamenti i Punëve të Brendshme-Gostivar,...