Zëvendëskryeministri i parë, Grubi: Të gjithë të punësuarit do të sistemohen në vende të punës

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 13 Shtator, 2020 11:47

Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Artan Grubi, sot përmes një konference për shtyp të mbajtur në Press Qendrën e Qeverisë, ka folur mbi prioritet e digasterit që ai drejton, raporton Agjencia e Lajmeve Flaka

“Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 15 korrik të vitit 2020, qytetarët e vendit tonë zgjodhën të konfirmojnë politikat tona në mandatin e kaluar dhe vendosën që BDI dhe LSDM të vazhdojnë bashkë që  ta dërgojmë shtetin tonë përpara”, u shpreh Grubi, duke shtuar që: Vota e çdo qytetari është votë për paqë, stabilitet, siguri, orientim euroatlantik të shtetit, menaxhim të suksesshëm me krizën ekonomike-shëndetësore, për ekonominë e rilindur vendore, për vende të reja të punës të paguara mirë, për shtet të së drejtës joselektive dhe veting për të gjithë, për mjedis jetësor të pastër dhe të shëndetshëm, për infrastrukturë funksionale, për kulturë sipas modelit evropian dhe arsim që i përgatit gjeneratat e reja për të tashmen dhe një të ardhme më të mirë.

“Gjithmonë e kam konsideruar ministrin si shërbëtor të të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, gjinisë dhe fesë,as edhe gjuhës, statusit social, shkollimit, religjionit, bindjes politike, aftësive ndryshe, moshës, statusit familjar apo martesor. Unë jam i nderuar t’ju shërbej si Zëvendës Kryeministri i parë në historinë e vendit tonë, pozitë kjo e dakorduar për të garantuar kohezionin e koalicionit qeveritar, koordinimin dhe zbatimin e politikave nga ana e resoreve dhe të kolektivit, por edhe për të zëvendësuar Kryeministrin në mungesën e tij. Këtë kohezion ndryshe, këtë atmosferë pune konstruktive, po e ndjejnë qytetarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që nga dita e parë. Qytetarët po e besojnë këtë hap të madh drejt barazisë së plotë e cila do të realizohet edhe në 100 ditët e fundit me zgjedhjen e Kryeministrit të parë shqiptarë me mandat të plotë politik.
Gjithë kjo, bashkë me parimin e partneritetit dhe konsensualitetit të sinqertë, e bënë këtë qeveri të qëndrueshme dhe të fuqishme, e bënë këtë Qeveri të përfaqësojë shoqërinë si tërësi”, tha Grubi, raporton FLAKA

Si Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive bashkë edhe me bashkëpunëtorët, tha ai, para vetës kemi detyrim të shenjtë dhe thelbësor që ta realizojmë agjendën për të cilën jemi obliguar para qytetarëve, duke bërë përpjekjet tona maksimale, përmes realizimit efektiv për arritje të rezultateve më të mira të mundshme.

“Emri dhe kompetencat e ministrisë rrjedhin nga komisioni parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe synon të reflektojë shoqërinë tonë. Si Zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë, përgjegjës për koordinim të çështjeve dhe resorëve politik, kam për obligim që të kujdesem edhe për mbarëvajtjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si dhe për një kohezion të mirëfilltë dhe efikas në shoqërinë tonë e cila do të jetë e barabartë për të gjithë”, vijoi Grubi.

Në mënyrë aktive, shtoi ai, do të kontribuojmë në krijimin dhe mirëmbajtjen e politikave që zhvillojnë vlerat e shoqërisë dhe mirëbesimit ndëretnik, tolerancës, drejtësisë joselektive, mundësive të barabarta dhe komunikimit ndërkulturor.

Grubi foli mbi drejtësin dhe vetingun e domosdoshëm në institucionet e drejtësisë, zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe reformat në administratë.

“Në bashkëpunim me Jetonin, ministrin për shoqëri informatike dhe administratë në afat sa më të shpejtë, do të sigurojmë që të gjithë të punësuarit të sistemohen në vende të punës në pajtim me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, në institucione shtetërore; do të njohim diplomat e fakultetit të të gjithë administratorëve dhe do ti frymëzojmë që të mbindërtojnë vetën dhe të shohin të ardhmen në këtë vend, do të fillojmë dhe monitorojmë reformat e nevojshme për barazi të plotë të qytetarëve, përfshirë edhe drejtësinë joselektive nëpërmjet të vetingut. Nuk mund të ekzistoj një drejtësi ndryshe për njërin e ndryshe për tjetrin, as ndryshe për qytetarët e ndryshe për politikanët. Drejtësisë së porositur me telefon i ka ardhur fundi, do të intensifikojmë dinamikën e zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. do të kompletojmë Agjencinë për përdorimin e gjuhës dhe Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve, do të bashkëpunoj me kolegët e mi për rritje të cilësisë në arsim dhe kulturë, si fusha që sjellin afërsi mes qytetarëve”, vijoi Grubi, percjell FLAKA

Gjithashtu, tha Grubi, do të bashkëpunoj me sektorin e biznesit për mbështetje të raporteve të mira mes bashkësive etnike dhe vlerave të tolerancës dhe respektit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe besimin e ndërsjellë në mjediset e tyre të punës, në mënyrë që të shfrytëzojnë potencialin e plotë njerëzor të vendit tonë.

“Poashtu do të përkrah fuqishëm kundërshtimin ndaj indoktrinimit fetar, intolerancës fetare dhe etnike të prodhuar në hapësira mediatike dhe rrjete sociale, do të punojmë fuqishëm në drejtim të kultivimit të miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Një gjë e dijnë të gjithë që më njohin dhe besoj se shpejt do ta dijnë të gjithë, e ajo është që unë nuk rresht së punuari dhe nuk ma lë ndërgjegja që ti zhgënjej qytetarët. Do të punoj për ata që na votuan, për ata që votuan kundër dhe për ata që nuk votuan fare”, vijoi Grubi.

Misioni im, tha ai, është barazia, barazi në të drejta, por edhe në përgjegjësi.

“Ne formuam qeveri e cila vë qytetarët në karriket e para VIP.  Qeveri e cila dëgjon qytetarët dhe punon për ata”, përfundoi ai.

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 13 Shtator, 2020 11:47