Xhamia që u shndërrua në monument historik

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Shtator, 2022 11:21

Deri para një dekade dyer i ka pas të hapura për besimtarët, ndërsa nga ajo kohë është shndërruar në monument historik për banorët dhe fshatin Simnicë. I ndërtuar në vitin 1850 objekti i xhamisë së vjetër të fshatit Simnicë, vazhdon t’i bëjë ballë kohës, edhe pse prej vitesh është hequr nga funksionimi. Ky monument historik bëhet i tillë me plotë kuptimin e fjalës edhe nga fakti se në oborrin e xhamisë ndodhet varri i heroit kombëtar Xhemë Hasa. Pasi bëhet fjalë për objekt të lashtë arkitektonik, ka qenë vendim i drejtë i banorëve të fshatit Simnicë, që objekti i xhamisë së vjetër të mos prishet për tu ndërtuar objekti i xhamisë së re.

Diku nga viti 2004, është iniciuar ndërtimi i xhamisë së re në themele dhe hapësirë tjetër, me qëllim që objekti i vjetër i xhamisë së fshatit të ngelet në faqet e historisë dhe të dëshmon për traditën, besimin, kulturën dhe zakonet e fshatit dhe fshatarëve të këtij fshati. Objekti i xhamisë së vjetër të fshatit Simnicë, tashmë është marrë në mbrojtje institucionale të Institutin Nacional, Qendra për Konservim në Gostivar. Brenda vitit 2015, pritet të realizohet projekti për restaurimin dhe konservimin e objektit. Me iniciativë të fshatarëve, gjatë vitit 2008 u përurua edhe xhamia e re në qendër të fshatit. “Për shkak të lashtësisë së saj, xhamia e vjetër u bë e pashfrytëzueshme, kështu që u detyruam të ndërmarrim aktivitete për ndërtimin e një kompleksi në kuadër të të cilit u ndërtua edhe xhami e re dhe përmendorja e patriot të shquar nga fshati Simnicë, Xhemë Hasës”, thotë Gjilsim Beluri, njëri nga të rinjtë e këtij fshati. “Xhamia e vjetër daton që nga gjysma e parë e shekullit të kaluar. Nga kalimi i kohës është armotizuar, struktura e saj ka deformime dhe nuk mund të shfrytëzohet më, por banorët e këtij fshati kanë vendosur të bëjmë objekt të ri, por të vjetrin mos ta prishim, xhamia e vjetër për fshatin Simnicë paraqet monument historik, shprehet Jetmir Xhemo, banorë i Simnicës.

Sa i përket ndërtimit të xhamisë në fshatin Simnicë nuk kemi burime të shkruara, andaj historiku i objektit bazohet vetëm te burimet gojore, sipas të cilave xhamia është ndërtuar kah viti 1850. Duke u bazuar po në të njëjtat burime, xhamia në fillim ka qenë e ndërtuar në formë të thjeshtë pa minaren me çatinë prej kashte, kurse pamjen që  ka sot e ka fituar në vitet e mëvonshme me intervenim të pjesshëm. Në vitin 1920, me iniciativë dhe vetëfinacim të vëllezërve Tahir dhe Miftar Gjika  ndërtohet minarja e xhamisë, ndërkaq në vitin 1980 intervenohet në pullazin prej kashte duke e mbuluar atë me tjegullave, edhe pse kjo xhami që nga origjina e saj ka pësuar ndryshime  ka arritur të ruajë në tërësi vlerat arkitektonike. xhamia ka qenë në funksion deri më vitin 2003 kur është ndërtuar xhamia e re.

Xhamia përbëhet prej një hapësire në trajtë drejtkëndëshi. Sistemi konstruktiv i xhamisë është tradicional, që do të thotë themelet dhe muret  јаnë ndërtuar prej  guri, konstruksioni i kulmit është prej druri. Çatia paraqitet me shtrirje në të gjitha këndet e fasadës i mbuluar me tjegulla.

Theksim vertikal xhamisë i jep minarja me një sherife e cila gjendet në këndin  jugperëndimor të xhamisë, konstruksioni i saj është ndërtuar me gur bigori kurse pjesa më e lartë që paraqitet në formë piramidale është e punuar me teneqe të cinguara.

Në anën veriperëndimore të xhamisë gjendet hajati i cili qëndron në katër shtylla prej druri. Hajati ka shërbyer për falje të namazit dhe lutje (në rastet kur brenda në xhami nuk ka pasur vend apo besimtarët arrijnë me vonesë) dhe nga kjo pjesë hyhet në brendi të xhamisë hapësira e brendshme ndriçohet nga dritaret të vendosura në katër anët e mureve konstruktive, sipërfaqet e mureve janë dekoruar me piktura murale, dhe citate nga kurani..

Mahvili zë vend në anën veriperëndimore mbi hyrjen në sallën e lutjeve në tërë gjerësinë e saj. Ai qëndron mbi pesë shtylla të profilizuara nga druri. Në mahvil arrihet nëpërmjet shkallëve, që gjenden në anën perëndimore të xhamisë. Mihrabi gjendet në mes të murit juglindor dhe çdoherë është i orientuar  drejtim të mekës, ky element është i futur në mur, në formë nike në pjesën e sipërme gjysmëkonike. Pjesa e poshtme e mihrabit  është i zbukuruar me dërrasa të vendosura në mënyrë vertikale, kurse në pjesën e mbetur paraqiten elemente dekorative me motive lulesh dhe shkrime në gjuhën arabe. Të drejtuar nga mihrabi, imami dhe besimtarët bëjnë lutjet e përbashkëta fetare.

I vendosur në këndin perëndimor të xhamisë, Mimberi i tëri është  prej druri, i pajisur me shkallë me një derë të mbuluar me perde. Shfrytëzohet për predikime fetare prej ku të premteve dhe në dy ditët e para të dy bajrameve, imami mban predikime të posaçme.

Në aspektin arkitektural,hapësinor, strukturor dhe dekorativ xhamia ruan të gjitha tiparet që nga koha e ndërtimit.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Shtator, 2022 11:21