Viti 2022 nuk prodhoi zgjedhje të parakoshme, edhe pse u kërkuan aq shumë nga opozita!

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 29 Dhjetor, 2022 11:20

Viti 2022 nuk prodhoi zgjedhje të parakoshme, edhe pse u kërkuan aq shumë nga opozita!

Përskaj thirrjeve të vazhdueshme, zgjedhje politike nuk pati. Vitin 2022 e përcjellim vetëm me zgjedhjet e parakohshme për këshillin komunal në Komunën e Tetovës, dhe zgjedhjet për kryetar komune në Komunën e Mavrovë – Rostushës dhe Qendër Zhupë.

Shkruan: Driton ZENKU

Viti 2022 ishte ndër vitet e zakonshme në dy dekadat e fundit në Maqedoninë e Veriut për përdorimin e shpeshtë të nocionit “zgjedhje” nga liderët e partive politike. Më i zëshëm ka qenë lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski. Ky i fundit gati në çdo paraqitje publike ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme si opsion i vetëm për dalje nga kriza, qoftë ekonomike apo politike.

Thirrjet nuk kanë munguar as nga liderët e opozitës shqiptare, një herë Ziadin Sela dhe pastaj Arben Taravari nga ASH, dhe lideri i Lëvizjes Besa Bilall Kasami. Përskaj thirrjeve të vazhdueshme, zgjedhje politike nuk pati.

Thirrjet për zgjedhje të parakohshme u intesifikuan para dhe mbas pranimit të propozimit Francës nga Maqedonia e Veriut, propozim ky që hapi rrugën e inkuadrimit në Bashkimin Europian, duke filluar edhe zyrtarisht bisedimet qasëse me BE-në.

Madje, VMRO-DPMNE në përkrahje edhe nga e Majta, organizuan protesta anti-qeveritare, për shkak të pranimit të propozimit Francez, duke e quajtur si tradhëti për interesat nacionale maqedonase.

Vitin 2022 e përcjellim vetëm me zgjedhjet e parakohshme për këshillin komunal në Komunën e Tetovës, dhe zgjedhjet për kryetar komune në Komunën e Mavrovë – Rostushës dhe Qendër Zhupë.

Por, edhe pse ishin zgjedhje lokale trazuan skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për këshillin komunal në Komunën e Tetovës, ndikuan në dorëhqejen e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela partia e të cilit shënoi rezultat dëshpërues duke arritur të efektuan në kutitë e votimit përkrahjen e vetëm 700 votuesve tetovarë.

Edhe zgjedhjet për kryetar komune në Komunën e Mavrovë – Rostushës dhe Qendër Zhupë i dhanë zë shprese partisë maqedonase në pushtet, LSDM. Lideri i këtij subjekti politik, Dimitar Kovaçevski rezultatin zgjedhor e shpalli triumf për politikën pro-europiane që ndjek koaliconi qeveritar dhe partia që ai drejton, kundrejt partive opozitare VMRO-DPMNE dhe E Majta, që i konsideron si subjekte politike destruktive ndaj politikave pro-europiane.

Përskaj thirrjeve dhe presioneve të vazhdueshme, momenti për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare u arrit të neutralizohet e të shmanget nga rendi i ditës, edhe pse, kërkesat për mbajtjen e tyre siç duket do të jenë aktuale edhe në vitin 2023. A do të realizohen gjatë vitit të ri apo do të pritet viti i rregullt zgjedhor 2024, pritet të shihet. Vendimtare do të jenë ndryshimet kushtetuese, por edhe kriza ekonomike që ka goditur vendit si pasojë e ndikimeve globale.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 29 Dhjetor, 2022 11:20