Ura që lidh Gostivarin dhe Kërçovën
Konsiderohet ura më e lartë në Maqedoni njëkohësisht ndër urat më të larta në periudhën e ish Jugosllavisë. Është e lartë 74 metra dhe është ndërtuar në vitin 1963. Mban emrin ura e Sërmnovës. Kjo urë njihet si ura që bashkon dy brigjet, ura që lidh Gostivarin dhe Kërçovën në linjë hekurudhore. E ndërtuar për t’i lidhur dy brigje, edhe sot ura e Sërmnovës shërben si lidhja më e mirë mes dy qyteteve dhe fshatrave që gravitojë për rreth. Ura e Sërmnovës ndodhet në hyrje të fshatit.
“Ura nisi të ndërtohet në vitin 1963, punimet kanë zgjatur plotë pesë vite. Në vitin 1968 u lëshua në përdorim. Dua të përmend se inxhinieri kryesor që ka konstruktuar urën ka qenë femër. Ishte një grua nga Dibra. Ura është ndërtuar aso kohe nga firma e atëhershme e shtetit, e ashtuquajtur “Gradezhna Mavrova”, thekson Maliç Bajrami, banor i fshatit Sërmnovë. Duke evakuuar kujtimet, Maliçi thekson se ura e fshatit Sërmnovë është e gjatë rreth 300 metra dhe është e ngritur në më tepër shtylla. Kjo urë paraqet objekt me teknikë të jashtëzakonshme ndërtimi, duke e pas para sysh lartësinë dhe gjatësinë e saj njëkohësisht. Për shkak të saj, ura është ruajtur mirë ndër këto vite.
“Ura është ndërtuar vetëm nga dy materiale të forta ndërtimore, është e ngritur me anë të betonit dhe hekurit. Ka qëndrueshmëri të madhe, mbi urën kalon treni që shkon në qytetin e Kërçovës”, thekson xha Maliçi. Ura e Sërmnovës është ndërtuar në lokacionin të cilin e ka aktualisht, me qëllim që të lidhë dhe të mundësojë komunikimin ndërmjet dy qyteteve të Maqedonisë perëndimore, Gostivarit dhe Kërçovës. Në çdo mjedis të qytetëruar, një monument kulture, siç është Ura e Sërmnovës, jo vetëm se do të mbrohej me ligj, por vazhdimisht do të kishte mbikëqyrje nga ekspertët përkatës për ta mirëmbajtur duke mos lejuar që të humbin vlerat arkitektonike dhe artistike. Se posedon vlera të tilla të pamohueshme, këtë e dëshmon dhe rrëfimi i plakut, i cili pohon se ky objekt atraktiv, me qindra raste është vizituar nga vizitorë të ndryshëm brenda dhe jashtë shtetit. “Brenda çdo periudhe të vitit ka vizitorë që vinë t’i shuajnë kureshtjet e tyre që kanë për misteret e urës së fshatit tonë. Vazhdimisht ka vizitorë që vinë dhe e vizitojnë urën”, thekson xha Maliçi. “Për sigurinë e urës dhe rëndësinë që ka në zhvillimin e komunikacionit rrugor të trenit që lëviz nga Shkupi për në Kërçovë, gjatë gjithë kohës ura ka qenë nën mbikëqyrje të rojeve kujdestare”, thotë Arsim Disha, banor i fshatit Sërmnovë, i cili shton se për banorët e fshatit Sërmnovë ka edhe një simbolik tjetër, një pjesë e varrezave të fshatit, janë të vendosur pikërisht ndër hapësirat e urës së fshatit. Ura e Sërmnovës me plot të drejtë llogaritet si simboli më impozant i Malit të Thatë të rrethinës së Gostivarit.
Ura pesë dekadëshe paraqet një nga monumentet më të rëndësishme në Gostivar dhe rrethinë.
[Memorial: Bashkëbiseduesi Jeton Aliji nga Sërmnova e Gostivarit, ndërkohë ka ndërruar jetë]