Trafikoi 6 tonë kokainë, policia serbe shkatërron ‘Kartelin e Ballkanit’

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 11 Maj, 2023 21:33

Trafikoi 6 tonë kokainë, policia serbe shkatërron ‘Kartelin e Ballkanit’

Policia e Serbisë organizoi një operacion të gjerë antidrogë në mbarë vendin, në fund të të cilit ranë 13 persona, pjesë e një organizate kriminale që trafikonte sasi të mëdha lënde narkotike të llojit kokainë.

Operacioni i policisë erdhi pas hetimeve disa mujore dhe u shtri në qytetet e Beogradit, Nishit, Llazarevcit, Suboticës dhe Zrenjaninit.

Në një komunikatë për shtyp për këtë operacion, shefi i policisë, Ninosllav Cmolliç bëri me dije se të arrestuarit ishin pjesë e rrjetit më të madh të kokainës në rajonin e  Ballkanit.

Sipas tij, “Karteli ballkanik” siguronte sasi të mëdha kokainë në Kolumbi, Brazil dhe Ekuador dhe e shpërndante më pas në Europë.

“Së paku, 6 tonë kokainë të kapura në vitin 2020 janë të lidhura me udhëheqësit e arrestuar sot dhe anëtarët e arrestuar më parë të kartelit të lartpërmendur”, tha Cmolliç.

Mësohet se ky grup i organizuar kriminal përbëhej nga 20 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.

“Nga shtatë persona që nuk u arrestuan, dy prej tyre janë duke vuajtur dënimin me burg në Holandë dhe Peru. Një është në paraburgim dhe katër janë në arrati”, njoftoi Prokuroria për krim të organizuar.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 11 Maj, 2023 21:33