Thaçi: Shteti u grabit shqiptarëve 1.7 miliard euro çdo vit

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 21 Qershor, 2020 20:17

Intervista e kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçit me Gazeta Tema.

“Ali Ahmetit, ka pranuar të qëndrojë i nënshtruar në koalicion me Gruevskin pikërisht në periudhën kur shqiptarët janë diskriminuar më fortë në baza etnike e kanë marrë tatëpjetën ekonomike.”

Z. Thaçi në këto zgjedhje ju keni kandiduar për postin e zv. Kryeministrit dhe keni shpalosur idenë e demokracisë konsensuale për Maqedoninë e Veriut. Sa i rëndësishëm është posti i zv. Kryeministrit për ju dhe sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për shqiptarët?

Ne jemi mësuar që pothuajse çdo cikël zgjedhor në Maqedoninë e Veriut ta cilësojmë si historik. Meqenëse tani si shoqëri kemi nevojë ta shmangim gjuhën romantike e folklorike, unë thjesht po i cilësoj shumë të rëndësishme jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Kjo për dy arsye kryesore:

E para, pavarësisht anëtarësimit në NATO, procesi i integrimeve euro-atlantike për Maqedoninë e Veriut nuk është mbyllur. Ky projekt do të mbyllet vetëm pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Prandaj, është shumë me rëndësi që shqiptarët ta luajnë rolin e tyre duke ndihmuar procesin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe ta shfrytezojnë atë edhe për të imponuar disa standarte të sjelljes politike për grupet e ndryshme politike, etnike apo kombëtare. Duhet të kemi parasysh se objektivi strategjik i anëtarësimit në NATO dhe në BE është interes i vetë shqiptarëve.

E dyta, pavarësisht faktit se shqiptarët kanë pasur një zv. Kryeministër etnikisht të tyre, nuk kanë pasur një projekt të tyre politik që ua garanton barazinë dhe zhvillimin. Çka dua të them me këtë? Zv. Kryeministri shqiptar nuk është një kategori biologjike: ai, para së gjithash, është një kategori politike. Shqiptarët, për shembull, kanë pasur me rotacion edhe një President në Jugosllavi, por kjo s’do të thotë se Presidenti shqiptar i Jugosllavisë e ka bërë Jugosllavinë pro-shqiptare. Ndaj, nuk është puna të gjykojmë, thjesht mbi bazë të prejardhjes biologjike, por duhet të gjykojmë mbi bazë të perspektivës politike.

Është shumë e rëndësishme që pas pothuajse dy dekada qeverisje nga BDI tani shqiptarët të marrin përsipër zhvillimin e një projekti politik që do t’i hedhë themelet e demokracisë konsensuale të sedertuar nëpërmjet parlamentit dydhomësh. Duke pasur parasysh këtë udhëkryq çështjesh të brendshme e të jashtme, këto zgjedhje mund të konsiderohen të rëndësisë së veçantë.

Z. Thaçi, pavarësisht synimeve tuaja, të arriturat e shqiptarëve nga Marrëveshja e Ohrit e deri tek Ligji për Gjuhët nuk kanë qenë të vogla, së paku, sipas kritikëve tuaj apo mbështetësve të BDI-së. Çfarë vlere saktësisht do t’i sillni Maqedonisë së Veriut sepse parlamenti dydhomësh, të jemi realist, nuk duket shumë i arritshëm tani për tani.

BDI dhe Ali Ahmeti kanë qenë në pushtet për pothuajse 20 vite dhe për pothuajse 20 vite kanë promovuar të ashtuquajturat ‘politika të integrimit’. Ata jo vetëm u kanë humbur shumë kohë e bërë shumë dëme shqiptarëve në qeverisje me Gruevskin, por edhe në bashkëqeverisjen e tanishme kanë pasur qasje të nënshtruar sa i përket mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve. Ali Ahmeti ka mbijetuar politikisht nëpërmjet prapaskenave të lojrave për pushtet, jo nëpërmjet prodhimit të politikave pro-shqiptare. Nëpërmjet intrigrave, taktikave dhe konspiracioneve, jo nëpërmjet argumenteve publike, drejtësisë shoqërore dhe politikave zhvillimore. Ta keni parasysh se sot barazia ndër-etnike në Maqedoninë e Veriut duhet të matet edhe me njësi ekonomike. Nga buxheti pothuajse 5 miliard euro i Maqedonisë së Veriut, shqiptarët ose komunat shqiptare sot përfitojne diku rreth 200-300 milion euro. Sipas parimit të proporcionalitetit e drejtësisë shoqërore, ndërkaq, ata duhet të kishin fituar së paku 1.7 miliard euro.

Prandaj, zv. Kryeministri shqiptar me projekt konkret politik është i nevojshëm: ai duhet të ketë veto sa i përket buxhetit – gjë që arrihet me pak ndryshime në rregulloren e Qeverisë – para se ai të kalojë për miratim në Kuvend. Kjo do të siguronte jo vetëm një ndarje të barabartë ekonomike, por edhe një bashkëqeverisje reale të grupeve të ndryshme etno-politike në Maqedoninë e Veriut.

Z. Thaçi, pavarësisht marrëdhënieve tuaja me BDI-në e Ali Ahmetin, ju prapë keni pranuar të bëheni pjesë e një bashkëqeverisjeje me ta. Pse duhet t’ju besojnë kësaj radhe zgjedhësit që ju do të silleni në mënyrë parimore e pro-shtetit dhe nuk do të zhvilloni politika personale për interesa të pushtetit? A nuk është kjo thjesht pasqyrë e klimës elektorale dhe jo e një vetëdije të qëndrueshme politike?

Ka një dallim jo vetëm shumë të thellë konceptual, por edhe tepër të madh personal mes meje dhe Ali Ahmetit. Ai ka pranuar të qëndrojë i nënshtruar në koalicion me Gruevskin pikërisht në periudhën kur shqiptarët janë diskriminuar më fortë në baza etnike e kanë marrë tatëpjetën ekonomike. Unë, ndërkaq, kam dalë nga koalicioni me Gruevskin pas 15 muajsh, kur ai nuk pranoi ta ndryshojë emrin e shtetit si kusht për anëtarësim në NATO dhe BE para samitit të Bukureshtit në 2008. Pra, kur kanë qenë në pyetje interesat e perspektivës euroatlantike të Maqedonisë e shqiptarëve, ne kemi dëshmuar se nuk bëjmë fare kompromis. Edhe pjesëmarrja me të njëjtën qeveri të fundit me BDI-në ka qenë pikërisht e ndikuar nga nevoja e njëjtë: përkatësisht, për ta siguruar qëndrueshmërinë e nevojshme për miratimit dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe kryerjes së detyrave në rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Ndaj, PDSH-ja e unë nuk thurim vargje të folklorit të zbrazët kombëtar, por e shohim zhvillimin e çështjes kombëtare të lidhur me marrëdhënien me BE-në dhe ShBA-në. Vijat tona të kuqe, ndërkaq, për një koalicion të mundshëm vlejnë vetëm për ata që cënojnë këtë marrëdhënie – marrëdhënien me BE-në dhe ShBA-në.

Në fund, ish-Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ka paralajmëruar hapjen e qendrës së VETËVENDOSJE-s në Maqedoninë e Veriut. Si një kandidat për zv. Kryeministër dhe kryetar i PDSH-së, cili është komenti juaj për këtë çështje?

Është, natyrisht, e drejtë e Kurtit të iniciojë hapjen e një qendre të partisë së tij në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, unë ia kujtoj edhe Kurtit edhe kujtdo tjetër se PDSH nuk pranon qasje paternaliste nga jashtë dhe, në të njëjtën kohë, shqiptarët nuk kanë nevojë për ndërhyrjen e tij për të zgjidhur çështjet e tyre. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë një pakicë kombëtare, por një element i patjetërsueshëm etno-politik që garanton vetë qëndrueshmërinë e shtetit. Ndonëse çështjet e tyre janë të shumta, ato nuk zgjidhen me recitale patriotike. Çështja e shqiptarëve duhet të adresohet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në. Ne nuk pranojmë asnjë politikë që nuk është e bashkërenduar me aleatët tanë strategjikë për hir të interesave elektorale, apo ideve spontane të Kurtit, apo kujtdo qoftë.

Linku: http://www.gazetatema.net/2020/06/21/intervista-menduh-thaci-shteti-i-maqedonise-i-grabit-shqiptareve-1-7-miliard-euro-cdo-vit/

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 21 Qershor, 2020 20:17