Të shqetësuar nga sulmet kibernetike

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 10 Nëntor, 2022 20:30

Të shqetësuar nga sulmet kibernetike

Të anketuarit që përdorin rrjete sociale në shumicën e rasteve përdorin emrat e tyre të vërtet si dhe vendosin fotografitë e tyre personale, thuhet në Raportin e Anketës së Opinionit Publik për Sulmet Kibernetike të publikuar nga AKE

Sipas një ankete të kryer nga trupat rregullator rreth sigurisë kibernetike, 15% e të anketuarve kanë thënë se nuk ndihen të sigurt dhe se kanë qenë viktimë e krimeve kibernetike ose e ngacmimit në internet, kurse më shumë se gjysma e tyre ishin të shqetësuar edhe për mundësinë e keqpërdorimit të të dhënave personale. Programet antivirus i përdorin rreth 57.3%, kurse ndryshe nga të moshuarit, të rinjtë shpeshherë lidhen me internet edhe nëpër vende publike. Të anketuarit që përdorin rrjete sociale në shumicën e rasteve përdorin emrat e tyre të vërtet si dhe vendosin fotografitë e tyre personale, tregon Raporti i anketës së opinionit publik për sulmet kibernetike të publikuar nga Agjencia e Komunikimeve Elektronike dhe Qendra Kombëtare për reagim ndaj incidenteve kompjuterike MKD-CIRT.

Anketimi në terren është zhvilluar nga 14 deri më 28 shtator të këtij viti me rreth 1.400 të anketuar. Një pjesë e madhe e të anketuarve (71.1%) nuk e din ose konsiderojnë se nuk ka faqe interneti, adresë kontakti, adresë e-mail, numër kontakti, apo gjëra të ngjashme në vendin tonë ku mund të raportohen krimet kibernetike apo aktivitetet ilegale në internet. Analizat e të dhënave të mbledhura tregojnë se shumica e përdorin internetin për rrjete sociale dhe komunikim. Për rrjete sociale këto 12 muajt e fundit internetin e kanë përdorur 86.8%, për shërbime dhe dokumente nga administrata publike 25.7%, për mësime dhe kurse 23.6%, dhe për shitje të mallrave dhe shërbimeve 9.2%. Ajo që më së shumti i shqetësonte të anketuarit ishte abuzimi me të dhënat personale gjatë përdorimit të aktiviteteve në internet, përgjigje kjo e dhënë nga 51.6% e të anketuarve. Siguria e pagesave dhe pamundësia për të inspektuar produktin në mënyrë fizike janë gjithashtu faktor shqetësues për rreth 47% e të anketuarve. Tre veprimet e ndërmarra nga të anketuarit për të mbrojtur privatësinë gjatë përdorimit të internetit janë, instalimi i një antivirusi (39.2%), vizitë vetëm faqeve të njohura të internetit që u besojnë (36%), përdorimi i vetëm një kompjuteri personal (35.2%).

Sa u përket praktikave të shfrytëzimit të internetit në vende publike, gjysma e të anketuarve thanë se internetin e shfrytëzojnë nga celulari i tyre ose rrjet që është i aksesshëm dhe i mbrojtur me fjalëkalim, 13.4% thanë se nuk lidhen me internet nëpër vende publike. Nëse merren parasysh të gjithë të anketuarit siç thotë AKE, 57.3% përdorin programe antivirus. 82.9% prej tyre përditësojnë programet, aplikacionet, dhe sistemet operative në pajisjet e tyre, 77.5% e tyre përdorin fjalëkalim për t’u kyçur në pajisjet që përdorin.

Fjalëkalimet e 79.3% të të anketuarve përbëhen nga kombinimi i shkronjave, numrave dhe simboleve. Sipas hulumtimit rreth 20% e të anketuarve, nuk munden ose më saktësisht nuk din të njohin një fjalëkalim të sigurt, pasi që një pjesë e madhe e tyre përdorin të dhëna personale si fjalëkalim. Gati gjysma e tyre i mbajnë mend fjalëkalimet e tyre, ndërsa 1/3 e tyre i shënojnë në fletore, kompjuter, ose celular, 1/3 nuk kanë ndryshuar fjalëkalimet e tyre në 12 muajt e fundit, shumica ose 2/3 nuk përdorin vërtetim me dy faktorë pasi nuk e dinë se çka është. Pak më shumë se 1/3 e të anketuarve mbajnë një kopje rezervë të të dhënave të rëndësishme të pajisjeve të jashtme. Shumica e atyre që mbajnë kopje rezervë, këtë e bëjnë rrallë, nga dy deri në tre herë në muaj. Përafërsisht gjysma e tyre besojnë se nuk janë fare ose mjaftueshëm të informuar për rreziqet e krimit kibernetik. Burim kryesor i këtyre informacioneve është interneti dhe mediat e tjera. 60% e të anketuarve pajtohen se të dhënat e tyre personale nuk ruhen në mënyrë të sigurt nga faqet e internetit, shërbimet apo edhe nga institucionet publike.

Rrjetet sociale më të përdorura janë Facebook-u (88.3%), Viber (88.6%). Interneti më së shumti përdoret nëpër celulare (96.9%), kompjuter (74.9%), ndërsa të anketuarit më të vjetër si dhe ata me një nivel më të ulët arsimimi përdorin më pak kompjuterët apo pajisjet e tjera për t’u kyçur në internet. (koha.mk)

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 10 Nëntor, 2022 20:30

11:34:32 am
Dje (23 nëntor) rreth orës 20:00 në rrugën “Dushko Popoviq”...
11:33:03 am
Mbrëmë (23 nëntor) rreth orës 19:10, në rrugën e “Ilindenit”...
11:32:03 am
Pjestarët e policisë të SPB Tetovë mbrëmë (24 nëntor) dhjetë...