Snopçe: Vota e secilit qytetar duhet të jetë e barabartë

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 28 Dhjetor, 2022 10:28 Updated

Në intervistën e fundvitit për Agjencinë e lajmeve Flaka, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe ka folur mbi përbërjen e Kuvendit dhe nëse kemi përfaqësim i drejtë?

Sipas tij, vota e secilit qytetar duhet të jetë e barabartë, dhe se aktualisht për fat të keq kemi një disbalancë të jashtëzakonshme në mes njësive zgjedhore që e dëmton përfaqësimin e drejtë në Kuvend.

“Në shtetin tonë ekziston ligj nëpërmjet të cilit zgjidhen deputetët. Pra, në zgjedhje të lira dhe demokratike, në gjashtë njësi zgjedhore sipas modelit të Dontit. Çdo njësi zgjedhore nga gjithsej 6, sjell me nga 20 deputetë. Pra, në bazë të këtij ligji janë zgjedhur deputetët dhe këtu nuk ka dilema. Sipas numrit të votave kemi edhe ndarjen e numrit të deputetëve. Si Alenacë për shqiptarët patëm koalicion me partinë Alternativa dhe sipas rezultateve të vitit 2020 fituam 12 deputetë. Pra, fiks 10% të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Pas vendimit të Alternativës të jetë pjesë e qeverisë, Aleanca për shqiptarët ngeli vetëm me 8. E tani këtu mund të diskutojmë a u dëmtua apo jo Aleanca“, thotë Snopçe.

Në kuptimin, shton ai, që votat që u fituan ishin vota të përbashkëta dhe pas thyerjes së marrëveshjes a u dëmtua apo jo përfaqësimi ynë në Kuvend?

“Sipas mendimit tim, këtu kemi një padrejtësi si pasojë e një vendimi politik të një partie politike e jo si pasojë e zgjedhjeve. Çështja e dytë është çështja e ndarjes së njësive zgjedhore ku përsëri kemi një padrejtësi. Vota e secilit qytetar duhet të jetë e barabartë. Tek ne fatkeqësisht kemi një disbalancë të jashtëzakonshme në mes njësive zgjedhore që e dëmton përfaqësimin e drejtë në Kuvend. Ku e kam fjalën? Ligji për ndarjen e shtetit në 6 njësi zgjedhore u soll në vitin 2002. Atëherë dallimi i votave në mes njësisë me numër më të madh dhe njësisë me numër më të vogël votuesish ka qenë 6800 votues. Por me kalimin e viteve ky dallim bëhej gjithnji më i madh, pavarsisht se me ligj është bërë ndryshimi i njësive duke zhvendosur regjione të caktuara prej një njësie në njësi tjetër zgjedhore. Në vitin 2006 dallimi ishte 23648 votues, në vitin 2008 dallimi ishte 23144 votues, në vitin 2011 ishte 27000 votues, në vitin 2014 ishte 23648 votues, në 2016 dallimi ishte 30447 votues e kështu me radhë. Do të thotë vetëm në zgjedhjet e vitit 2002 kemi pasur barazi të votës. Pas 2002 në shtetin tonë nuk kemi barazi të votës. Dëmi gjithnji ka qenë ndaj njësisë zgjedhore numër 6 ku dominojnë votuesit shqiptarë. Edhe një fakt tjetër bindës në këtë drejtim është që në vitin 2016, dallimi në mes shumës së votuesve në njësitë 2 dhe 6 ku gravitojnë pjesa dërmuese e shqiptarëve, me shumën e votuesve në njësitë 3 dhe 4 ka qenë 51024 votues. Duke marrë parasysh se një deputet zgjidhet me mesatarisht 7000 vota ky dallim është i papranueshëm”, shton Snopçe.

Sipas tij, kjo dëshmon më së miri se nuk kemi përfaqësim të drejtë në parlament për faktin që vota e qytetarëve nuk ka peshë të njëjtë dhe kjo kryesisht është në dëm të votuesve shqiptarë. Flaka

Lexo intervistën:

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 28 Dhjetor, 2022 10:28 Updated