Snopçe: Kam raporte korrekte me deputetët në përgjithsi

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 27 Dhjetor, 2022 18:14

Në intervistën ekskluzive të fundvitit për Flaka Media Group, deputeti i Aleancës për Shqiptarët – ASH, Halil Snopçe flet për aktualitetet politike, funksionimin e Kuvendit dhe me theks të veçantë grupi parlamentar të ASH-së. “Kam raporte korrekte me deputetët në përgjithsi pavarsisht përkatësisë së tyre partiake”, thotë Snopçe. A duhet ASH t’i bashkangjitet Qeverisë, është pyetja tjetër që i parashtrohet deputetit Snopçe, ndërsa pyetet nëse do të garonte për kryetar komune në Gostivar në zgjedhjet e vitit 2025. Më mirë në politikë apo me studentët në Universitet, përgjigjet Snopçe, tek sa flet edhe për familjen e tij

Intervistoi: Abedin Bilalli

FLAKA: Çka përfaqëson sipas jush z. Snopçe politika sot te ne?

HALIL SNOPÇE: Fillimisht dëshiroj të jap sqarim se çka do duhej të përfaqësojë politika. Politika do duhej të ishte një instrument i cili do i shërbente popullit, që nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur nga vet ai të realizojë nevojat dhe interesat e tij në shoqërinë ku jeton. Kjo do te duhej të përmbante anën morale në kuptimin e argumentimit të principeve etike, të ligjeve dhe rregullave si dhe të pikëpamjeve dhe ideve që i posedon një politikan.

Halil Snopçe në një nga Kongreset e ASH

Për një politikan prej së vërteti nuk do duhej të ndodhte fenomeni i dështimit moral të tij në kuptimin që në luftën për pushtet përdor mjete si shpifja, etiketimi, fyerja, blerja e votës, ndjekja e kundërshtarëve politikë, etj. Të mos flasim për veprime edhe më të rezikshme kur një politikan apo parti politike, me tendencën për të ruajtur pushtetin apo për të përfituar nga pushteti, korruptohet masivisht dhe si pasojë sjell vendime që e dëmton komunitetin, shtetin dhe popullin në përgjithësi. Sot, fatkeqësisht politika e ka zhbërë fuqinë e fjalës në kuptimin e dhënies së premtimeve që asnjëherë nuk plotësohen. Fjala e dhënë është arma e vetme që ke në politikë dhe fatkeqësisht sot rrallë kush beson në fjalën e poltikanit sepse pushtetarët e kanë humbur fuqinë e fjalës falë mashtrimeve që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë. Kjo është për të ardhur keq.

Kemi një parti politike që është në pushtet tash më 20 vite. Politika deklarative e tyre është e formës së dukjes totale gjoja se angazhohet për inreresat e shqiptarëve, por në fakt me mosveprimin e tyre, me oportunizmin e tyre, me dështimet në të gjitha sferat, me skandalet e njëpasnjëshme, me korrupsionin masiv, me mosdhënien e përgjegjësisë, janë bërë shkatar të zhdukjes totale të të drejtave të shqiptarëve në shtet.

Famijla Snopçe

Unë poashtu mendoj se tek ne kemi një krizë politike në kuptimin që kemi një sistem që nuk funksionon. Këtë nuk e them unë por e thonë kryeministri, e thotë zv. Kryeministri, e thote ministri i drejtësisë. Kemi një besueshmëri prej vetëm 4% në sistemin e drejtësisë. Na kanë shpallur shtet hibrid me nivel të lartë të autokracisë dhe shtet me korrupsion shumë të lartë. Kur korrupsioni bëhet masiv dhe populli mungon, atëherë edhe zgjedhjet bëhen mashtrim, në baza të klientelizmit, të llogarive, të blerjes së votës. Rrjedhimisht përfaqësimi nuk e reflekton realitetin. Korrupsioni fillimisht paraqitet si tradhti institucionale. Por më pastaj kur të korruptuarit tentojnë të mbrojnë veten e tyre, ai korrupsion transformohet në tradhti kombëtare sepse duke e mbrojtur veten e tradhtojnë kombin dhe shtetin.

Tek ne fatkeqësisht nuk kemi as edukatë politike. Edukimi dhe politika duhet të shkojnë së bashku. Edukimi paraqet emancipim të politikës. Politika duhet të kuptohet si moralitet. Këtë dimension i jep edukimi. Tek ne fatkeqësisht politika dhe imoraliteti akceptohen si sinonime. Ne nuk e quajmë politikën art ose shkencë. Tek ne thuhet se politika është lavire. Me dhënien e këtij atributi politikës, e që në fakt është një atribut i keq, nuk mund të presim që politika të sillet ndryshe me ne. Pra, duhet edhe ndryshim i mentalitetit të përgjithshëm brenda përbrenda shoqërisë. Shoqëria duhet të sillet politikisht poashtu. Nuk është sjellje politike kur ti thua se pushteti është i korruptuar dhe voton për pushtetin. Nuk është politikë kur thua se u zbrazën qytetet dhe fshatrat tona dhe ti përsëri voton për pushtetin. Nuk është poltikë kur e shet votën tënde për ti votuar ato që e blejnë votën me para apo me metoda tjera. Nuk është politikë kur një njeri i ndershëm, i moralshëm, i drejtë, i pastër mendon se vota e tij nuk është e rëndësishme. Pra, të gjithë kemi përgjegjësi për instalimin e një politike të mirëfilltë aty ku jetojmë.

Famijla Snopçe – Halil, Aslian, Nesa dhe Bari

FLAKA: Sipas perberjes qe ka Kuvendi ynë, a është përfaqësim i drejtë?

HALIL SNOPÇE: Në shtetin tonë ekziston ligj nëpërmjet të cilit zgjidhen deputetët. Pra, në zgjedhje të lira dhe demokratike, në gjashtë njësi zgjedhore sipas modelit të Dontit. Çdo njësi zgjedhore nga gjithsej 6, sjell me nga 20 deputetë. Pra, në bazë të këtij ligji janë zgjedhur deputetët dhe këtu nuk ka dilema. Sipas numrit të votave kemi edhe ndarjen e numrit të deputetëve. Si Alenacë për shqiptarët patëm koalicion me partinë Alternativa dhe sipas rezultateve të vitit 2020 fituam 12 deputetë. Pra, fiks 10% të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Pas vendimit të Alternativës të jetë pjesë e qeverisë, Aleanca për shqiptarët ngeli vetëm me 8. E tani këtu mund të diskutojmë a u dëmtua apo jo Aleanca. Në kuptimin, që votat që u fituan ishin vota të përbashkëta dhe pas thyerjes së marrëveshjes a u dëmtua apo jo përfaqësimi ynë në Kuvend? Pra, sipas mendimit tim, këtu kemi një padrejtësi si pasojë e një vendimi politik të një partie politike e jo si pasojë e zgjedhjeve.

Çifti Halil dhe Aslian Snopçe

Çështja e dytë është çështja e ndarjes së njësive zgjedhore ku përsëri kemi një padrejtësi. Vota e secilit qytetar duhet të jetë e barabartë. Tek ne fatkeqësisht kemi një disbalancë të jashtëzakonshme në mes njësive zgjedhore që e dëmton përfaqësimin e drejtë në Kuvend. Ku e kam fjalën? Ligji për ndarjen e shtetit në 6 njësi zgjedhore u soll në vitin 2002. Atëherë dallimi i votave në mes njësisë me numër më të madh dhe njësisë me numër më të vogël votuesish ka qenë 6800 votues. Por me kalimin e viteve ky dallim bëhej gjithnji më i madh, pavarsisht se me ligj është bërë ndryshimi i njësive duke zhvendosur regjione të caktuara prej një njësie në njësi tjetër zgjedhore. Në vitin 2006 dallimi ishte 23648 votues, në vitin 2008 dallimi ishte 23144 votues, në vitin 2011 ishte 27000 votues, në vitin 2014 ishte 23648 votues, në 2016 dallimi ishte 30447 votues e kështu me radhë. Do të thotë vetëm në zgjedhjet e vitit 2002 kemi pasur barazi të votës. Pas 2002 në shtetin tonë nuk kemi barazi të votës. Dëmi gjithnji ka qenë ndaj njësisë zgjedhore numër 6 ku dominojnë votuesit shqiptarë. Edhe një fakt tjetër bindës në këtë drejtim është që në vitin 2016, dallimi në mes shumës së votuesve në njësitë 2 dhe 6 ku gravitojnë pjesa dërmuese e shqiptarëve, me shumën e votuesve në njësitë 3 dhe 4 ka qenë 51024 votues. Duke marrë parasysh se një deputet zgjidhet me mesatarisht 7000 vota ky dallim është i papranueshëm. Pra, kjo dëshmon më së miri se nuk kemi përfaqësim të drejtë në parlament për faktin që vota e qytetarëve nuk ka peshë të njëjtë dhe kjo kryesisht është në dëm të votuesve shqiptarë.

FLAKA: Çka e karakterizon grupin parlamentar të ASH-së në Kuvend, gjegjësisht çka keni arritur të realizoni si premtim duke qenë edhe opozitë?

HALIL SNOPÇE: Parlamenti ku vepron grupi ynë parlamentar do duhej të ishte një arenë a artikulimeve politike. Fatkeqësisht parlamenti ynë është shëndruar në një vend të banaliteteve.

Shihni, para disa ditëve debatonim për buxhetin si aktin më të rëndësishëm i një shteti. Dokumenti që përcakton se si dhe ku do harxhohen paratë e qytetarëve. Kryeministri nuk u paraqit aspak. Asnjë ministër përveç zv. ministrit të financave nuk ishte në sallë. Pra, mjerim total. Nëse për buxhetin nuk ka interes që do duhej të ishte akti kryesot i një shteti, atëherë parashtrohet pyetja se si mundemi të kontribojmë në punën e Parlamentit. Filozofi Sartr ka thënë se njeriu në verzionin ekzistencialist është vepra e tij. Çka është vepra e parlamentit tonë? Është banaliteti, shitja apo blerja e deputetit, zhdukja brenda nate, ndryshimi i qëndrimeve në forma shumë të dyshimta, etj. Pra, nuk kemi me çka të lëvdërohemi si Parlament.

Famijla Snopçe

Programi politik i Aleancës për Shqiptarët titullohej “Shtet për të gjithë“. Shteti do të thotë shtat. Fjala Latine “state“ do të thotë “gjendje“. Pra, kjo gjendje nuk është e mirë dhe prandaj dëshirojmë të ndryshojmë, respektivisht të përmirsojmë atë gjendje. Në program i patëm vendosur përcaktimet programore tonat. Fatkeqësisht nuk u bëmë pjesë të pushtetit dhe nuk patëm mundësi të dëshmohemi para popullit për atë a jemi në gjendje ti mbajmë premtimet apo jo. Por pavarsisht kësaj, arritëm të realizojmë një nga premtimet parazgjedhore që kishte të bënte me ligjin për shtetësi pavarsisht se kundërshtohej nga ana e qeverisë. Ne me bllokadën që e bëmë Kuvendit, e detyruam qeverinë që të lëshojë pe dhe ligji u soll. Kemi propozuar edhe ligje tjera që fatkeqësisht janë në sirtaret e Kuvendit dhe nuk procesohen sikurse ligji për kazinot që ato të munden të funksionojnë vetëm në hotelet me 5 yje. Kemi pasur me qindra amandamente që janë refuzuar. Kemi pasur edhe ligje në sferën e arsimit. Nëpërmjet pyetjeve të deputetëve kemi detyruar qeverinë të mer masa në ndihmë të banorëve në Konjare. Kemi detyruar të meren masa në akreditimin e medresesë Isa Beu, etj.

Si grup parlamentar kemi tentuar të prodhojmë një gjuhë për të treguar se ku ndodhen vështërsitë për një çështje e caktuar. Ne gjithnji kemi dëshiruar të mbajmë votuesin të informuar për tema të ndryshme dhe të stimulojmë që edhe populli të flet. Ne i themi problemet troç. Asnjëherë skemi keqpërdor foltoren siç që bëjnë të tjerit, por vetëm kemi përdorur gjuhën e argumentit duke shtruar faktet. Nuk kemi folur në abstrakt. Korrupsioni, krimi, nepotizmi për ne nuk kanë qenë vetëm fraza, por kemi tentaur të bëjmë radiografinë e këtyre frazave dhe i kemi vendosur temat që kemi menduar se populli ka interes dhe kemi tentaur të prodhojmë gjuhë për të analizaur defektet e këtyre fenomeneve me qëllim të aktivizimit të popullit që të kyçet në mënyrë më aktive në proceset. Pra, ta ç’mbështjellim popullin nga ajo mbështjellje që e ka kapluar, e ajo është ndjesia e pamundësisë për ti ndryshuar gjërat. Besimi mund të ringjallet vetëm nëse edhe populli nis të flet. Thjeshtë, grupin tonë parlamentar e karakterizon semantika që është bërë e njohur më për të gjithë.

FLAKA: Kush janë miqtë e juaj në Kuvend jashtë Grupit parlamentar të ASH-së?

HALIL SNOPÇE: Kam raporte korrekte me deputetët në përgjithsi pavarsisht përkatësisë së tyre partiake. Unë do të përgjigjem se në Parlament nuk kam asnjë armik nga asnjë grup parlamentar. Pa asnje problem mund të komunikoj me secilin deputet.

Halil Snopçe në tubim të ASH

FLAKA: A duhet ASH t’i bashkangjitet Qeverisë, (mendimi juaj personal pa shumë kalkulime dhe pa mos e marrë për bazë mendimin e partisë)?

HALIL SNOPÇE: Do të ishte e tepërt të shprehi mendimin tim personal për këtë çështje pasi që konsideroj se lexuesi juaj nuk e ka aspak të vështirë të lexon atë mendim prej përgjigjeve të pyetjeve më sipër. Por, duhet patur parasysh që një poltikan në veprimin e tij politik nuk duhet të bazohet vetëm në mendime personale. Duhet të merret parasysh fillimisht opinoni i popullit, duhet të lexohet saktësisht mesazhi i votuesve dhe normalisht më kryesorja, të kemi parasysh interesin e shqiptarëve dhe të shtetit. Zhvillimet gjeopolitike, rikonfigurimet e reja në skenën ndërkombëtare implikojnë shumë gjëra të tjera ku duhet sakrifikuar mendimi personal. Shteti ynë është i brishtë në kuptimin e ndikimeve të faktorëve të jashtëm. Ne duhet të bëjmë çmos që ta ruajmë stabilitetin e shtetit dhe të pamundësojmë ndikimet që do sillnin në pyetje stabilitetin e shtetit.

Me bijën, Nesa Snopçe

Në kohën kur interes jetik i të gjithë neve është nisja e negociatave për antarsimin në Unionin Europian, nisja e kapitujve që vetvetiu do të na detyron si shtet të bëjmë edhe reformat atje ku çalojmë dukshëm, nëse bashkangjitja jonë në qeveri do të riste kapacitetet e qeverisë për tu përballur më lehtë me këto reziqe, atëherë ne si parti do të shqyrtojmë seriozosht atë ofertë. Fundja ne si parti kemi përkrahur gjithçka që ka qenë i lidhur me rrugëtimin Euroatlantik të shtetit. Kemi më tepër se të gjithë të tjerit të drejtë morale të lëvdërohemi se kemi qenë faktori më meritor në këtë rrugëtim sepse edhe pse parti opozitare, nuk kemi kushtëzuar me asgjë përkrahjen tonë. Ne do vazhdojmë me këtë përkrahje, por nëse kemi një ofertë ku do të kishim patur mundësi të kontribojmë edhe në luftën kundër shumë fenomeneve devijante që i kam përmendur më sipër, atëherë ndoshta edhe do kishim marrë një përgjegjësi të tillë përderisa të evitohen reziqet për stabilitetin e shtetit.

FLAKA: Në vitin 2025 zgjedhjet lokale, a mendon z. Snopçe të garojë për kryetar komune në Gostivar?

HALIL SNOPÇE: Sinqerisht jo. Arben Taravari ka edhe tre vite mandat. Unë nuk kam ambicie të kandidohem për kryetar komune pas tre viteve edhe nëse Arbeni vendos të mos kandidohet për mandat të tretë. Jam një ndër kritikuesit më të mëdhenj të decentralizimit të skajshëm të shtetit tonë. Me ingerencat aktuale komunat nuk mund të ushtrojnë kompetencat që i kanë. Pa financa të mjaftueshme nuk mund të funksionosh në mënyrë që të jesh në shërbim të plotë të qytetarëve. Nëse kësaj i shtohet diskriminimi ekstrem i regjionit të Pollogut ku graviton Gostivari, atëherë kjo edhe më tepër e pamundëson funksionimin e komunave në Pollog. Një ndër angazhimet kryesore në të ardhmen e partisë tonë do të jetë pikërisht jetësimi i programit politik që ka të bëjë me decantrilizimin fiskal dhe zhvillimin e barabartë regjional.

Famijla Snopçe

FLAKA: Më mirë në politikë apo me studentët në Universitet?

HALIL SNOPÇE: Në Universitet vazhdoj të punoj në mënyrë vullnetare. Çdo të Hënë prej ora 08 deri në 12 mbaj mësim me studentët deridiplomikë të shkencave kompjuterike në UEJL. Poashtu jam i angazhuar edhe me studentët e doktoraturës dhe për momentin mentoroj dy kandidatë. Punën e bëj me kënaqësi ashtu siç kam bërë edhe përpara se të zgjidhem deputet. Disa më pyesin çka të duheshte të meresh me politikë. Konsideroj që të gjithë ne duhet të kemi obligim kombëtar por edhe përgjegjësi intelektuale që të kontribojmë në ndryshimin e status kuosë për të cilën unë mendoj se nuk është e mirë. Në mos tjetër, do të jem i pastër përpara fëmijëve të mi kur të më pyesin në një të ardhme se çka kam bërë unë për të ndryshuar gjendjen. Do të mund të përgjigjem,së paku u mundova. Pra, profesioni është diçka tjetër, ndërsa politika tjetër. Fatkeqësia e një shoqërie është kur politikën e shëndrojmë në profesion.

Halil Snopçe në tubim të ASH

FLAKA: Njiheni si familje matematicientësh. Fëmijët tuaj do ju trashëgojnë ose kanë të tjera preferenca?

HALIL SNOPÇE: Mendoj se edhe Nesa edhe Bariu janë fëmijë shembullor si në shtëpi ashtu edhe në shkollë. Jam shumë i kënaqur me sjelljen e tyre dhe me përkushtimin e tyre në mësime sepse të dy kanë shprehi pune dhe prindërit nuk e kanë të vështirë të shohin atë. Nesa është maturante dhe tash më është e sigurtë se nuk ka për të na trashëguar. Bariu është më i vogël dhe kam përshtypje se ka shumë afinitete. Ai mendoj se do merret me shkenca ekzakte, por a do jetë matematika do të tregojë koha. Me rëndësi është të përzgjedhin atë që e do shpirti i tyre. Në asnjë mënyrë prindi nuk duhet të imponojë përzgjedhjen.

Famijla Snopçe

FLAKA: Luhet shpesh në shtëpinë tuaj shah! Kush fiton më shpesh dhe kush është më inatçor kur luani shah me birin tuaj?

HALIL SNOPÇE: Shah kemi nisur të luajmë në kohën e pandemisë kur rinim në shpi dhe na duhej të bënim edhe disa aktivitete për ta kaluar kohën. E mësova Bariun se si luhet shahu dhe sinqerisht përparoi shumë. Fëmijët kanë predispozita të përparojnë dhe frigohem se pas një periudhe të shkurtër do ta ndërpresim këtë traditë sepse Bariut nuk do ti duket atraktive të luan shah me mua pasi që nuk do të ketë sfidë të luan me kundërshtar shumë më të dobët se ai.

FLAKA: Cila është dëshira dhe mesazhi juaj për vitin e ardhshëm?

HALIL SNOPÇE: Të gjithë urojnë duke dëshiruar një vit më të mirë se viti paraprak. Fatkeqësisht ka disa vite me radhë që për popullin tonë viti paraprak ka qenë më i mirë se viti i radhës. Prandaj unë parasegjithash uroj një vit që nuk do të jetë më i keq se viti që kalon! Uroj shëndet! Uroj arsimim më të mirë të fëmijëve! Uroj përmirsim të standardit! Uroj nisjen e negociatave me UE-në! Uroj stabilitet të shtetit!

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 27 Dhjetor, 2022 18:14