Sindikata ankohet për probleme të shumta në zhvillimin e mësimit online

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 18 Tetor, 2020 10:18

Mësimi nga shtëpia në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 1 tetor ndërsa po zhvillohet përmes një platforma unike të krijuar nga Ministria e Arsimit, përcjell FLAKA

Mësimdhënësit janë të obliguar që mësimin ta zhvillojnë me prani fizike në shkolla, ndërsa nxënësit e ndjekin nga shtëpia, përmes pajisjeve të ndryshme të komunikimit elektronik.

Mësimi ka nisur në këtë formë për të evituar përhapjen e koronavirusit, pavarësisht reagimeve e protestave të shumta të nxënësve e prindërve të tyre, që nxënësit të zhvillojnë procesin mësimor nga objektet shkollore.

Sindikata e arsimit flet për probleme të shumta në zhvillimin e mësimit online. 

“Një pjesë e problemeve ende nuk janë kapërcyer dhe problemi kryesor mbetet me internetin që ende nuk është stabil. Në shumë shkolla ka probleme me rrjetin, në disa tjera nuk ka fare internet. Por, përveç nga Ministria e Arsimit, problemi qëndron edhe te komunat të cilat shumë më herët duhej të përgatiteshin për këtë formë të mësimit. Shkollat fillore janë nën kompetencë të tyre dhe komunat duhej të angazhoheshin për instalimin e rrjetit të internetit nëpër ato shkolla ku nuk ka, apo të forcojnë rrjetin në shkollat ku nuk ka rrjet funksional. Nuk amnistoj as Ministrinë e cila me kohë duhet të trajnonte mësuesit, duhej shumë më herët të përgatiste platformën e kështu me radhë”, thotë Jakim Nedellkov, kryetari i Sindikatës së arsimit.

Për dallim nga arsimi fillor dhe i mesëm, mësimi në arsimin e lartë po zhvillohet pa probleme, meqë në shumë prej fakulteteve, edhe më parë ligjëratat ndiqeshin nga distanca. FLAKA

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 18 Tetor, 2020 10:18