Shehu për paralajmërimet e opozitës: Pengimi i procesit zgjedhor paraqet vepër penale!

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 29 Dhjetor, 2023 22:44

Shehu për paralajmërimet e opozitës: Pengimi i procesit zgjedhor paraqet vepër penale!

Pengimi i mbajtjes së procesit zgjedhor paraqet vepër penale. Kështu iu përgjigj sonte nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, kreut të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami i cili ditë më parë kërcënoi se nëse nuk kalon propozimi i opozitës shqiptare për anëtarin e KSHZ-së, do ti bojkotojnë zgjedhjet, ndërsa në komunat që udhëhiqen nga LEN, nuk do të lejojnë të mbahen zgjedhje.

Shehu në emisionin “Politica” në televizionin Globi u shpreh se nuk beson se do të vinte deri te një gjë e tillë.

“Ajo është vepër penale. Çdonjëri që pengon mbajtjen e procesit zgjedhor, përgjigjet penalisht. Unë nuk besoj në këtë pasi shkollat janë subjekte juridike dhe kanë drejtorë. Ne do të drejtohemi te drejtorët dhe gjithashtu ata në bazë të Kodit Zgjedhor janë të obliguar kësaj radhe vetëm të sigurojnë mjetet dhe hapësirat nëpër komuna, ndërsa pagesën e bën KSHZ-ja. Mendosj se nuk do të vijë deri në këtë situatë”, deklaroi Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

Kasami tha se LEN do të shikojë të gjitha format tjera, duke nisur nga bojkotimi i Kuvendit, protestat, bllokada e Kuvendit, deri në atë të fundit “që e kemi analizuar dhe e shqyrtojmë si mundësi, që në komunat që udhëhiqen nga opozita shqiptare, në këtë rast Tetovën, Zhelinën dhe Çairin, mos të lejojmë që ditën e zgjedhjeve të hapen kutitë e votimit”.

“Nëse Kuvendi nuk e zgjidh këtë çështje deri në fund të këtij viti kalendarik atëherë nga 1 janari, Lidhja Evropiane për Ndryshim do të bojkotojë punimet e Kuvendit me deputetët e saj por do të vazhdojnë edhe hapa të tjerë në drejtim të bllokimit të punës së Kuvendit, më drejtim të protestave të hapura… edhe pamundësinë e organizimit të zgjedhjeve në komunat shqiptare. E dimë ne se infrastrukturën kryesore në organizimin e zgjedhjeve e ofron pushteti lokal, objektet e komunave, objektet e shkollave, gjithë infrastrukturën lokale dhe çdo lokalitet ku janë të shtrira institucionet e pushtetit lokal”, kishte deklaruar Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

LEN ka propozuar Abdush Demirin për anëtar të KSHZ-së, kurse PDE e Arjanit Hoxhës Zulfi Adilin. Hoxha mohon të ketë marrëveshje me ASh për përkrahje të Zulfi Adilit.

“Të gjitha partitë të cilat pretendojnë për atë vend, në rastin konkret të ashtuquajturit të Blloku opozitar nuk janë mandatë të cilat i kanë fituar nga pjesëmarrja vetanake në zgjedhje, por janë mandate të fituara nga koalicionet. Dhe asnjë të drejtë më shumë nuk e kanë ata në krahasim me PDE pasi që ne kemi deputet në kuvendin republikan”, tha Arjanit Hoxha – PDE ditë më parë në një intervistë televizive.

KSHZ-ja, sipas ligjit, përbehet nga shtatë anëtarë, tre nga partia maqedonase në pushtet, dy nga partia maqedonase në opozitë përfshirë kryetarin, një nga partia shqiptare në pushtet dhe një nga partia shqiptare në opozitë.

Aleanca për Shqiptarët kishte një anëtar në KSHZ deri në shkurt por me kalimin e saj në pushtet, vendi ka mbetur bosh. FLAKA

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 29 Dhjetor, 2023 22:44