RETRO: Viti 2022 solli publikimin e rezultatet e regjistrimit të popullsisë

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 27 Dhjetor, 2022 11:24

Maqedonia e Veriut ka publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë për vitin 2021 ku shqiptarët zënë 29,5% të popullsisë, kundrejt 25% që ishte në censusin e fundit në vitin 2002. Problem përbëjnë bullgarët të cilët rezultojnë vetëm 3500 në shtetin fqinj. Regjistrimi i popullsisë vjen pas 2 dekadash pauzë në Maqedoninë e Veriut, shkruan Agjencia e lajmeve Flaka.

Shkruan: Driton ZENKU

Në fund të muajt mars,  Enti Shtetëror i Statistikës publikoi  rezultatet zyrtare të Regjistrimit të popullsisë në vend, i cili u mbajt nga 5 deri më 30 shtator 2021. Pas dy dekadash vakante, Maqedonia e Veriut realizoi dhe publikoi rezultatet e regjistrimit të popullsisë për vitin 2021 në të cilin shqiptarët rezultuan të ishin 29.5% e popullsisë së përgjithshme të vendit përfshirë ata që jetojnë jashtë të paktën për 1 vit.

Popullsia e përgjithshme në vend është 1.836.713 banorë. Me regjistrimin e fundit, shqiptarët përbëjnë 29,5% të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë së Veriut dhe 24,3% janë banorë rezidentë në vend, ndërsa të tjerët jetojnë jashtë për të paktën 12 muaj. Në total numri i popullsisë ka regjistruar një tkurrje me rreth 185 mijë persona në harkun e 20 viteve.

Maqedonasit përbëjnë sot 58,44% të popullsisë nga 64,17% në vitin 2002. Nga Entri kumtuan që vetëm 3500 bullgarë janë regjistruar, ndërkohë që sipas pretendimeve të Sofjes mbi 70 mijë maqedonas kanë marrë pasaportë bullgare që prej vitit 2010.

Sa i përket pakicave të tjera etnike shifrat janë pothuajse të njëjta me ato të 2002-shit.

Turqit përbëjnë 3,86% të popullsisë, romët 2,53% serbët 1,3%, boshnjakët 0,87% dhe vllahët 0,47%.

Popullsia e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut sipas përkatësisë etnike është si vijon:

  • 54.21% – Maqedonase
  • 29.52% – Shqiptarë
  • 3.98% – Turq
  • 2.34% – Rom
  • 0.44% – Vlleh
  • 1.18% – Serb dhe të tjerë

Popullsia rezidente e regjistrimit sipas deklarimit të përkatësisë etnike:

  • 58.44% – Maqedonas
  • 24.30% –  Shqiptar
  • 3.86% – Turq
  • 2.53%- Rom
  • 0.47% – Vlleh
  • 1.30% –  Serb
  • 0.87% – Boshnjakë

Popullsia e përgjithshme jorezidente e përfshirë në Regjistrimin ku përkasin qytetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ndodhen jashtë në 12 muajt e fundit – 258.932 persona, prej tyre:

  • 24.45% – Maqedonas
  • 66.36% – Shqiptar
  • 4.79% – Turq
  • 1.02% – Rom
  • 0.19%- Vlleh
  • 0.36% – Serb
  • 0.81% – Boshnjak dhe të tjerë

Regjistrimi i popullsisë të Maqedonisë së Veriut u zhvillua në muajin shtator të vitit 2021.

Sipas të dhënave të publikuara nga enti, me regjistrimin e popullsisë që zgjati nga 5 deri më 30 shtator, u regjistruan 1.832.696 persona, 568.175 familje dhe 837.255 banesa. 

Ata që për çfarëdo arsye mbetën të paregjistruar, do të gjenden në ndonjë nga bazat e të dhënave gjatë përpunimit të të dhënave dhe do të jenë pjesë e regjistrimit.

Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare është edhe gjuha, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës jomaqedonase, që i bie të jetë gjuha shqipe, edhe pse nuk përmendet si e tillë.

Në bazë të këtij formulimi kushtetues, shqiptarëve u sigurohen edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore. Pikërisht, ky formulim kushtetues ka politizuar edhe regjistrimin duke bërë që ai të mos mbahej për 20 vjet.

Në totalin e popullsisë rezidente të moshës 15 vjeç e më shumë, 98,4 për qind jetojnë në bashkësi martesore, ndërsa 1,6 për qind në bashkësi jashtëmartesore, thuhet në grupin e ri të të dhënave nga regjistrimi i publikuar nga ESHS, dhe i referohen gjendjes martesore të popullsisë, numrit të lindjeve dhe migrimeve brenda vendit.

Nga popullata e përgjithshme rezidente, 81,1 për qind deklaruan se nuk u shpërngulën (popullsia autoktone), dhe 11,7 për qind se u zhvendosën në vendbanimet e zakonshme.

Sipas vendlindjes, 90 për qind e popullsisë së përgjithshme rezidente kanë lindur në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Regjistrimi i popullsisë vjen pas 2 dekadash pauzë në Maqedoninë e Veriut. I fundit është mbajtur në vitin 2002, në të cilin shqiptarët përbënin 25,17% të popullsisë prej 2 milionë e 22 mijë personash.

Pra, regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 27 Dhjetor, 2022 11:24