RETRO: Kriza ekonomike, kryefjala e vitit 2022 në Maqedoninë e Veriut 

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 27 Dhjetor, 2022 18:23

RETRO: Kriza ekonomike, kryefjala e vitit 2022 në Maqedoninë e Veriut 

T&S

Kriza energjetike, inflacioni i lartë dhe lufta në Ukrainë goditi aktivitetin e biznesit dhe  nxit një rritje të çmimit të energjisë elektrike por edhe produkteve ushqimore, ndërtimore dhe çdo aktivitet tjetër tregëtar. Borxhi publik arriti mbi 60 për qind të PBV-së dhe paraqet nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Një pikë drite në fund të tunelit po shfaqet në përfundim të vitit. Çmimi i dizelit dhe derivateve tjera në pompat e benzinës janë liruar për afër 30% nga niveli i përpara gjashtë muajve, por kjo nuk është pasqyruar në çmimet e produkteve me pakicë.

Shkruan: Driton ZENKU

Fillimi i luftës në Ukrainë, ishte edhe fillimi i alarmit për një krizë ekonomike. Ky moment i ri shqetësues për shoqërinë në të gjithë botën, erdhi ende pa u përmbyllur bilansi me pasojat e krizës që shkaktoi pandemia e nivelit botëror me virusin CoVid-19.

Në raportin e saj, Banka Botërore parashikoi që ekonomia e vendit të rimëkëmbet dhe të kthehet në nivelin para pandemisë në vitin 2022, por një gjë e tillë stagnoi pikërisht nga kriza e re ekonomike që preku vendet e botës.

Pandemia dhe konflikti ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës i kanë kufizuar operacionet e kompanive dhe ato duhet të kujdesen për likuiditetin në kushte të vështira dhe të pasigurta dhe të balancojnë mes nevojës për zhvillim dhe rritje të kapaciteteve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Goditjet e reja në ekonomi shkaktojnë rritje të pasigurisë në veprimtarinë e kompanive, gjë që ndikon në mbijetesën e vetë kompanisë. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit nuk ia kanë dalë të mbijetojnë 4874 kompani.

Për pasojë, një pjesë e mirë e të punësuarve në sektorin e gastronomisë janë në rrezik për të humbur vendin e punës. Disa prej tyre janë dërguar në pushim të detyruar vjetor, disa janë tashmë në shtëpi dhe marrin 70% të pagës mujore.

Më shumë tre rroga minimale janë të nevojshme që një familje katër anëtarëshe të arrij të siguroj shpenzimet që parasheh shporta konsumatore e cila ka arritur në mbi 50 mijë denarë.

Enti Shtetëror i Statistikave ka bërë të ditur se nga tetori i vitit të kaluar e deri në të njëjtin muaj të këtij viti, vetëm shpenzimet ushqim janë rritur për 31.2 për qind.

Produktet ushqimore në muajin qershor ishin mbi 20 për qind më të larta se muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Buka u shtrenjtua me 30 për qind, vaji me 50 për qind dhe sheqeri, mishi, qumështi, perimet dhe vezët me rreth 20 për qind. Çmimet vazhdimisht kanë shënuar rritje.

Qeveria në muajin mars uli tatimin mbi vlerën e shtuar për produktet ushqimore bazë nga 5 për qind në zero dhe kufizoi marzhën për tregtarët. Por, nga 1 qershori, këto masa u hoqën, gjë që çoi në rritjen drastike të çmimeve të disa produkteve. Për të parandaluar rritjen e çmimeve, Qeveria më 31 qershor i riktheu masat, por vendimi u cilësua si i vonuar pasi tregtarët veçse kishin rritur çmimet.

Sipas Entit, paga mesatare brenda një vitit është rritur për gati 3.000 denarë (50 euro), duke arritur 31.400 denarë (rreth 500 euro). Por, këto para bazuar në rritjen e çmimeve, kanë vlerën e 28.700 denarëve apo rreth 450 euro.

Të dhënat zyrtare tregojnë se paga mesatare është rritur me 9 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por kostoja e jetesës është rritur me 14 për qind, pra, paga mesatare është 2.3 për qind më e ulët krahasuar me një vit më parë. Rritja e cmimeve të produkteve ushqimore si pasojë e krizës ekonomike globale, gjatë vitit 2022 u shndërrua në përditshmëri.

Komisioni Evropian ka korrigjuar shkallën e rënies së PBV-së nga parashikimi i pranverës i cili parashikoi një rënie prej -3.9 për qind të PBV-së, tani rënia e për këtë vit është parashikuar në -4.9 për qind. Sipas raportit, rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë e ngadaltë dhe e pasigurt.

Sipas KE-së, shkalla e papunësisë në vend do të mbetet e qëndrueshme. Borxhi shtetëror me siguri do të kalojë 50 përqind të PBV-së dhe pritet të rritet më shumë vitin e ardhshëm. Megjithëse stabilizimi i borxhit ishte planifikuar fillimisht për vitin e ardhshëm, ai do të shtyhet. Për vitin e ardhshëm, parashihet rritje e PBV-së për 3.8 përqind, ndërsa për vitin 2022, 3.5 përqind.

Një pikë drite në fund të tunelit po shfaqet në përfundim të vitit. Çmimi i dizelit dhe derivateve tjera në pompat e benzinës janë liruar për afër 30% nga niveli i përpara gjashtë muajve, por kjo nuk është pasqyruar në çmimet e produkteve me pakicë.

Plotësisht, prej 1 dhjetorit, prodhuesit e ushqimit paguajnë çmim më të lirë për rrymë elektrike, por tani për tani nuk plotësohen pritjet e Qeverisë për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore për të paktën 10%. Edhe të dhënat e fundit zyrtare për shpenzimet e jetesës nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se shtrenjtimi vazhdon, pavarësisht çmimeve të derivateve dhe energjensëve.

Në nëntor, krahasuar me tetor, çmime më të larta ka te mishi, peshku, qumështi, uji mineral, pijet e gazuara, lëngjet e frutave dhe perimet, gjiza dhe djathi, kafeja, çaji, vezët, sheqeri, xhemi, mjalti, çokollata, birra, buka dhe drithërat. Ulje të rrallë ka te frutat dhe vaji për ushqim. Nëpër marketet e mëdha, çmimet e produkteve ushqimore mbeten në të njëjtin nivel, madje disa edhe janë shtrenjtuar. Buka e bardhë e cila peshon 420 gramë kushton 40 denarë. Mishi i freskët i lopës 600 denarë për kg, mishi i viçit 800 denarë për kg, djathi prej 350 deri në 400 denarë për kg, kaçkavalli 500 denarë për kg, qumështi 80-90 denarë për litër.

Mos ulja e çmimeve, festat e fundvitit po i vështirëson edhe më tepër, edhe pse, është dukuri e njohur për çdo fundvit. Rritja e çmimit të produkteve ushqimore në prag festash është një traditë që zgjat.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 27 Dhjetor, 2022 18:23

03
Jan
Punonjësit policorë të SPB Tetovë-Departamenti i Punëve të Brendshme Gostivar,...
03
Jan
Pjestarët e policisë të SPB Tetovë-Departamenti i Punëve të Brendshme-Gostivar,...