Referendumi për shkarkimin e Bashës, Komisioni: 43,385 demokratë votuan pro, 306 kundër

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 19 Dhjetor, 2021 15:37

Referendumi për shkarkimin e Bashës, Komisioni: 43,385 demokratë votuan pro, 306 kundër

Komisioni i Organizimit dhe Operacioneve Elektorale ka dhënë detaje për referendumin e mbajtur një ditë më parë për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti si kreu i Partisë Demokratike.

Demokratët që morën pjesë në votimin e referendumit ishin 43,879, ku 43,385 votuan pro, 306 kundër, 17 abstenuan dhe 171 ishin vota të pavlefshme.

Komisioni përbëhej nga kryetarja Albana Vokshi dhe anëtarët Ervin Minarolli, Enno Bozdo, Edit Harxhi dhe Keltis Kruja.

Trazirat brenda PD-së u thelluan akoma më shumë një ditë më parë, pas mbajtjes së referendumit për shkarkimin e Bashës.

Ndërsa në të njëjtën kohë u mbajt edhe Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha, ku u miratua rezoluta e Këshillit Kombëtar.

Sipas rezolutës, mbledhja e Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha është e jashtëligjshme dhe vendimet e saj janë nul dhe nuk kanë asnjë vlerë politike apo ligjore për PD.

Por kjo nuk e stopoi aspak Berishën, i cili pas daljes së rezultateve të referendumit, shkoi në selinë blu bashkë me dhjetëra mbështetës të tij, ndërsa brenda godinës po mbahej mbledhja  e Kryesisë së partisë.

Berisha ka bërë të ditur se të hënën e 20 Dhjetorit, nesër do të zhvillohet protesta e parë kombëtare, ku qytetarët do të protestojnë përpara Kryeministrisë në orën 16:00.

Problemet e brendshme brenda Partisë Demokratike u ndezën pasi Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar  i PD-së, Berishën, pas shpalljes së tij ‘non grata’ nga SHBA-ja.  Pas kësaj ngjarje ish-kreu i PD-së nisi mbajtjen e Foltoreve në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa u krijua Komisioni i Rithemelimit të partisë.

Top Channel

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 19 Dhjetor, 2021 15:37