Promovohen investimet në shkollën “Bashkimi”

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 4 Qershor, 2020 21:34

Të gjitha klasat e para në shkollën fillore “Bashkimi” në Gostivar kanë pamje të re. Të reja janë edhe banjot, të cilat janë rregulluar sipas standardeve të fundit, zhveshtoret dhe palestra sportive. Për të parë nga afër investimet e fundit në këtë shkollë, ka qendruar për vizitë një delegacion nga komuna e Gostivarit, kryesuar nga kryetari Arben Taravri me bashkëpunëtorët e tij. Ai me këtë rast tha se punimet në këtë shkollë janë pjesë e investimeve të vazhdueshme të kryera gjatë pandemisë, që nxënësit në vitin e ri shkollor të gëzojnë kushte më të mira për mësim. Shtoi se rregullimi i palestrës sportive është bashkëfinancim me USAID.

Përgjegjësja për arsim pranë Komunës së Gostivarit, Aslian Snopçe deklaroi se investimet e reja në shkollën “Bashkimi” kapin shifrën e 60 mijë eurove dhe paralelisht ka pasur punime nëpër shumë shkolla të Gostivarit.

I kënaqur me investimet e realizuara u shpreh dhe drejtori i shkollës fillore “Bashkimi” Zijadin Nuredini i cili shtoi se kushtet tashmë në këtë shkollë janë përmirësuar dukshëm.

Ndryshe, gjatë periudhës së pandemisë nëpër shumë shkolla fillore dhe të mesme në territorin e Komunës së Gostivarit janë kryer punime në objektet shkollore si dhe investime nëpër oborre dhe kënde për fëmijë.

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 4 Qershor, 2020 21:34