Pritet që Zaev të dorëzojë dorëheqjen nga posti i kryeministrit

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 20 Dhjetor, 2021 09:00

Pritet që Zaev të dorëzojë dorëheqjen nga posti i kryeministrit

Qeveria e re ngadalë po kompletohet. “Alternativa” e cila është partneri i ri në Qeveri ka bërë të ditur emrat e kandidatëve në postet ministrore në Shëndetësi dhe Shoqëri Informatike dhe Administratë si dhe për zëvendësministra në Arsim, Kulturë dhe Bujqësi. Ata do të jenë pjesë e qeverisë së re e cila do të formohet nga mandatari i ardhshëm pasi kryeministri Zoran Zaev do të dorëzojë dorëheqjen që e paralajmëroi pas humbjes në zgjedhjet lokale. Sipas paralajmërimeve të Zaev, dorëheqja pritet të ndodhë gjatë kësaj jave.

Zaev këtë e bëri të ditur gjatë dorëzimit të postit të kryetarit të LSDM-së.

“Ditëve në vijim përfundojmë me konsultimet me partnerët e koalicionit. Atë çfarë mund ta them është se po rrumbullakohen procese të rëndësishme, edhe programore edhe qeveritare dhe në pjesën e kuadrove .Vendimin do ta marr rreth fillimit të javës së ardhshme. Pasi të marr vendimin, menjëherë edhe do të njoftojë se kur saktësisht do të formalizohet në Kuvend”, tha mes tjerash Zaev. (15/12/2021)

Në takimin me partnerin e koalicionit BDI që u mbajt të enjten është konfirmuar se është përmbushur qëllimi të sigurohet qeveri stabile dhe shumicë stabile parlamentare, ndërsa zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhet te jenë të rregullta dhe të mbahen në vitin 2024.

“Zaev, Ahmeti dhe Kovaçevski u pajtuan se Qeveria e re tërësisht do të fokusohet në lëvizjen e shpejtë të shtetit ndaj eurointegrimeve dhe se qëllimi është suksesi i parë i madh i Qeverisë të jetë gjetja e zgjidhjes për sfidat në marrëdhëniet me Bullgarinë dhe fillimi i negociatave  për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, informoi Shërbimi Qeveritar për Shtyp.

Dhe derisa pushteti pohon se shumica parlamentare është stabile dhe se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, opozita me kërkesë në shkurt ose mars të formohet qeveri teknike, ndërsa në maj ose qershor të mbahen zgjedhje të parakohshme.

Sipas liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pushteti aktual po menaxhon keq me shtetin edhe pse zgjedhjet e parakohshme nuk janë çdoherë zgjidhje më e mirë, por sipas tij kur vendi përballet me probleme serioze, zgjedhjet janë zgjidhje e vetme.  

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 20 Dhjetor, 2021 09:00