Prej nesër “zero tolerancë” për keqparkimin në Gostivar

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 18 Shtator, 2020 23:38

Policia dhe “shërbimi i marimangës” nga nesër do të ndëshkojë vozitësit dhe do t’i bartë veturat të cilat do të jenë të parkuara në hapsira publike.Gjoba janë planifikuar edhe për tregtarët dhe kafenetë të cilat shfrytezojnë për nevojat e tyre dhe pa pëlqimin e autoriteteve pjesë nga trotuaret apo rrugët në pjesën qendrore të qytetit.

Nga SPB – Tetovë informojnë se sot drejtuesit e Departamentit për punë të brendshme Gostivar dhe ata të ndërmarrjes publike “Parkingje publike dhe gjelbërim” kanë realizuar një takim pune me çrast janë dakorduar që në periudhën e ardhëshme t’i intensifikojnë aktivitetet në drejtim të vendosjes së rendit dhe sigurisë në komunikacion.

“Fillimi i aktiviteteve është planifikuar për ditën e nesërme në periudhën nga ora 20 e deri në ora 2 të mëngjesit. Gjatë kësaj kohe do të barten veturat e keqparkuara përgjatë rrugëve “Ilindenska” dhe “Sretko Kërstevski” dhe rrugicave të tjera brenda qytetit. Janë paraparë edhe gjoba për pronarët e veturave të cilët i kanë lë veturat në trotuare, në udhëkryqe dhe në vende me gjelbërim”, thotë zëdhënësi i SPB – Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Takimin me drejtuesit e Policisë së Gostivarit e ka konfirmuar edhe drejtori i ndërmarrjes publike “Parkingje publike dhe gjelbërim” Bekim Çelebiui cili bën me dije se aksionet për sigurinë në komunikacion, do të vazhdojnë derisa të arrihet efekti i duhur në trafik.

Përveç veturave të keqparkuara do të kontrollohen edhe hotelierët dhe tregtaret që kanë zënë apo uzurpuar trotuaret dhe rrugët nëpërmjet vendosjes së parregullt të objekteve dhe gjësendeve në kundërshtim me rregullat e dispozitave në fuqi. Ndryshe, sivjet nga rrugët e Gostivarit për arsye të keqparkimit deri tani janë bartur nga shërbimi i marimangës rreth 150 vetura, një numër simbolik ky krahasuar me periudhat e tjera jashta pandemisë. TV GLOBI 

Gostivari Sot
Nga Gostivari Sot 18 Shtator, 2020 23:38