Pendarovski: Debati politik ka rënë me degradimin e kundërshtarit politik

Sot, Presidenti Stevo Pendarovski mori pjesë në Forumin e tretë Kombëtar të Organizatave të Shoqërisë Civile, duke theksuar se për një kohë të gjatë shoqëria maqedonase ka qenë mjaft e polarizuar në pothuajse çdo bazë – ndëretnike, politike, ideologjike dhe ekonomike, përcjell FLAKA.
“Gjithnjë e më shpesh përqendrohemi në atë që na ndan, dhe në të njëjtën kohë si të neglizhojmë atë që na lidh dhe atë që na mban së bashku. Debati politik është reduktuar në degradimin e kundërshtarit politik. Edhe në punësim, gjithnjë e më shpesh dëgjojmë se preferenca i jepet partisë ose etnisë së kandidatëve, në vend të karakterit, arsimimit dhe aftësive të tyre. Kjo më tej përshpejton rrjedhjen e të rinjve, njerëz shumë të kualifikuar”, tha Pendarovski.
Sipas tij, për depolarizimin e shoqërisë maqedonase duhet të përqendrohemi në disa çështje kryesore si sundimi i ligjit, përgjegjësia më e madhe politike dhe depolitizimi i shoqërisë.
“Ne ende kemi një kulturë të mosndëshkimit për zyrtarët e lartë dhe nuk duhet të fajësojmë vetëm gjyqësorin ose gjyqtarët për këtë. Ne nuk duhet ta largojmë vëmendjen nga ne, politikanët”, tha Presidenti Pendarovski. FLAKA