Njohësit e ekonomisë paralajmërojnë krizë të investimeve të huaja

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 16 Korrik, 2023 21:03

Kosova vazhdon të jetë nën masat e BE-së, të cilat u vendosën siç u tha përkohësisht si përgjigje ndaj tensioneve në veri të vendit. Mirëpo edhe pas zotimit të Qeverisë për shtensionim të situatës në atë pjesë nuk dihet se deri kur këto masa evropiane do të jenë në fuqi.

Kjo situatë e krijuar ka ngritur shqetësimet për ndikimin që mund të ketë në ekonominë e vendit e posaçërisht në ardhjen e investitorëve të huaj. Mirëpo nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë thënë se në takimet që kanë pasur me investitorë të ndryshëm, nuk kanë pranuar ndonjë ankesë.

Por, për njohësit e ekonomisë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të cilat kanë hyrë në fuqi dy javë më parë, vlerësohet se po ndikojnë negativisht në tërheqjen e investitorëve të huaj. Sipas tyre investitorët e huaj po e shohin Kosovën si vend të krizave.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini thotë se nëse masat e BE-së nuk largohen, vendi rrezikon t’i humbasë rreth 500 milionë euro deri në fund të vitit.

Mirëpo ndryshe janë shprehur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga e cila kanë thënë se në takimet që kanë pasur me investitorë të ndryshëm, nuk kanë pranuar ndonjë ankesë.

“Trendi i investimeve të huaja gjatë mandatit të ministres Hajdari është mjaft pozitiv dhe ngritja me e madhe e investimeve te huaja ndonjëherë në Republikën e Kosovës, ka ndodhur pikërisht gjatë mandatit të ministres Hajdari, respektivisht në vitin 2022 kur vlera e investimeve arriti në 778.2 milionë euro apo 84.97% me shumë investime se në vitin paraprak 2021 kur vlera e investimeve ishte 420.7 milionë euro”, janë përgjigjur nga MINT.

Nga janari deri në prill të këtij viti, investimet e huaja në Kosovë kapën vlerën e mbi 251 milionë eurove.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 16 Korrik, 2023 21:03