Nis festivali i përvjetshëm Rudina Fest
Tashmë si çdo vit, Çegrani hap dyert e tij për të mirëpritur mbi 200 artistë nga vende të ndryshme të Botës në festivalin ndërkombëtar të folklorit Rudina Fest.
Me defile nëpër rrugën kryesore nga ora 19:00, e më pas me mbrëmjen artistike te SH.F. Periferike “Përparimi” me fillim në ora 20:00, u hap edicioni i III-të me radhë të Rudina Fest që po realizohet nga SHKA Jahi Hasani.

Në hapjen solemne të pranishëm ishin drejtues të pushtetit lokal me në krye kryetarin e Këshillit Komunal Valbon Limani si dhe ministri i drejtësisë Krenar Lloga të cilët patën edhe fjalë rasti.
“Vazhdojmë të jemi të përkushtuar që gjatë qëndrimit të mërgimtarëve tanë në vendlindje, të zhvillohen aktivitetet kryesore kulturore”, tha mes të tjerash Limani.
Sivjet festivali do të zgjasë 4 netë me radhë në lokacione të ndryshme në komunën e Gostivarit.

Kjo ngjarje e veçantë vendos Gostivarin në hartën ndërkombëtare të festivaleve, duke sjellë ansamble nga e gjithë bota, si Meksika, Kili, Polonia, Qiproja, Turqia, Shqipëria, Ukraina, Gjeorgjia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Gostivari Sot
