Ndërtimi i Korridoreve, zigzaget e ditës së sotme!

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 5 Maj, 2023 20:58

Ndërtimi i Korridoreve, zigzaget e ditës së sotme!

Në pamundësi për t’i miratuar ne procedurë të rregullt, Qeveria ka vendosur që ligjet të cilat sipas saj ulin kostot për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10-D t’i propozon me flamurin e Evropian. Ligji për marrëdhënie pune, Ligji për ndërtim, Ligji për planifikim urbanistik, Ligji për eksproprijim dhe ligji special për autostradat do të dorëzohen në Kuvend, ndërsa nga procedura tërhiqen Ligji për pyjet dhe Ligji për tokat bujqësore.

“Qeveria në seancën e sotme miratoi 5 propozim ligje të cilat do t’i dorëzon në Kuvend. Nisur nga fakti se BE-ja e ka vendosur në hartën e korridoreve edhe Korridorin 8 bashkë me Korridorin 10 dhe atë 10-D dhe për këto ligje më shumë kohë bëhet debat në Kuvend, Qeveri dhe media kemi vendosur që 5 ligjet të propozohen me flamurin Evropian”, deklaroi Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

I pyetur nëse ekzistojnë kuadro të cilat kanë kapacitet t’i mbikëqyrin punimet mbi një projekt të tillë, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët shtetërore” thotë se do të punësohen kuadro të reja.

“Kishim edhe konkurs publik dhe tani bëhet evaulimi për pranimin e 28 personave inxhinierë, arkitektë, inxhinierë ndërtimi, elektro inxhinierë dhe specialistë të ambientit jetësorë si ekip i posaçëm për ndjekjen e punimeve në dy korridoret”, tha Ejup Rrustemi, Drejtor i NP “Rrugët shtetërore”.

Qeveria pretendon se marrëveshja me Bechtel&Enka është nënshkruar duke u bazuar në dispozitat aktuale ligjore. Por sipas tyre, për të mos lejuar rritjen e kostos së projektit janë sugjeruar ndryshime ligjore të cilat nuk i kërkon kompania ndërtuese, por strategjia ndërtimore e vendit. Ndërkohë Prokuroria Publike ka njoftuar se ka pranuar marrëveshjen e arritur mes NP “Rrugët Shtetërore” dhe konzorciumit Bechtel&Enka dhe i njëjti do të jetë objekti shqyrtimi për element të mundshëm kriminal dhe korruptiv.

Përdorimi i flamurit evropian për propozim-ligjet për ndërtimin e autostradave nga “Bechtel dhe Enka” nuk është e arsyeshme dhe nuk ka lidhje me agjendën reformuese për në BE.

Kështu kanë reaguar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend, pasi Qeveria vendosi miratimin e pesë projektligjeve për korridoret 8 dhe 10-D dhe i dërgoi ato në Kuvend me flamur evropian.

Flamuri evropian nuk duhet të përdoret për shkurtimin e debatit publike apo zgjidhjen e vështirësive procedurale në Kuvend, thonë nga delegacioni i BE-së.

“Vendosja e flamurit evropian në ligje synon të ndihmojë në përshpejtimin e integrimit të RMV-së në BE dhe sipas kësaj duhet të ketë për qëllim harmonizimin e legjislacionit me ligjet dhe standardet e BE-së. Në këtë rast, duket se propozim-ligjet nuk adresojnë harmonizimin me standarde të tilla. I shprehim shqetësimet tona te autoritetet vendore dhe kërkojmë sqarime plotësuese.”, thuhet në reagimin e BE-së.

Dorëzimi i ligjeve që lidhen me ndërtimin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10D me yll të BE-së në Kuvend i jep fund bllokimit të këtyre nismave nga ana e VMRO-DPMNE-së e cila vazhdon t’i konsiderojë ata të dëmshëm. Procedura e nismave me yll të BE-së kufizon kohën e debatit në komisionin parlamentar në vetëm 2 ditë, pavarësisht numrit të amendamenteve të dorëzuara. Opozita vlerëson se marrëveshja me realizuesin Behtel-Enka parashikon penale prej qindra miliona eurove dhe realizim të projektit pa respektuar procedurat e zakonshme.

“Për fat të keq nuk është hera e parë që qeveria e drejtuar nga BDI-ja në koalicion me LSDM-në të bëjë precedentë të këtilla dhe ligjet të cilat nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me BE-në t’i propozojnë me yll të BE-së. Në këtë drejtim ne këtu i kemi duart e lidhura, ne do të bëjmë gjithçka mundemi, do t’i shfrytëzojmë ata dy ditë për debat për t’i argumentuar arsyet se pse nuk i mbështesim këto ndryshime ligjore sepse ata janë vërtetë në dëm të qytetarëve megjithatë për fat të keq keni të drejtë kur thoni se këto ligje zakonisht miratohen”, tha Velika Stojkova Serafimovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Shumica parlamentare mirëpriti nismat e qeverisë duke thënë se në këtë mënyrë do të shkurtohet koha e realizimit dhe do të shpenzohet më pak në ndërtimin e autostradave.

“Të gjithë ndryshimet e propozuara janë në përputhje me Kushtetutën dhe me miratimin e tyre do të kursehen 150 milion euro dhe dy vite ndërtim. Qëllimi i VMRO-DPMNE-së është të bllokohet ky proces. Intriga që bëhet kundër këtij projekti nacional infrastrukturor me rëndësi nacionale për shtetin është që ta bllokojnë dhe të mos realizohet”, u shpreh Mile Talevski, deputet i LSDM-së.

“Sigurisht se ne mirëpresim një vendim të tillë të qeverisë duke pasur parasysh se Korridori 8 është edhe në hartën pan-evropiane të korridoreve dhe se momentin që do të dorëzohen në Kuvend do të njoftohemi me përmbajtjen por megjithatë nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh në tekstin e ligjeve”, theksoi Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Një grup deputetësh, kryesisht nga BDI-ja, kishin dorëzuar tre javë më parë gjithsej tetë nisma ligjore me të cilat planifikonin shkurtim të procedurave administrative për ndërtimin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10D. Deri tani vetëm njëra prej tyre ka kaluar filtrin në komision kurse të tjera janë bllokuar në procedurë. Duke u vendosur yll të BE-së qeveria synon realizimin e ndryshimeve ligjore të planifikuara. 

Bashkimi Demokratik për Integrim mirëpret dhe mbështet vendimin e sotëm transparent të Qeverisë për miratimin e pesë ligjeve dhe dërgimin e tyre në Kuvend për miratim të mëtejshëm.

Në këto ligje, në asnjë moment, në asnjë fjali, në asnjë numër nga të pesë ligjet, nuk përmendet 60 orë punë, prandaj VMRO DPMNE po i gënjen qytetarët, thuhet në kumtesën e BDI-së.

“Ligjet parashikojnë lehtësimin e procedurave për të gjitha projektet kombëtare dhe strategjike të vendit, jo vetëm ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 – D. Ligjet mundësojnë ndërtimin më efikas dhe më të shpejtë të autostradave me kursime mbi 150 milionë euro dhe përfundimin dy vjet më të shpejtë.

Bllokada e VMRO-së dhe Levicës i kushton qytetarëve mbi 150 milionë euro vetëm për këtë projekt dhe më shumë se dy vite ndërtim shtesë. Korridoret 8 dhe 10 – D nuk janë Shkupi 2014 dhe autostrada kineze që dikush të vjedhë”, thuhet mes të tjerash në kumtesën e BDI-së.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 5 Maj, 2023 20:58