Ndërmarrjet e ujit para kolapsit

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 16 Shtator, 2022 15:14

Ndërmarrjet e ujit para kolapsit

Shtrenjtimi i madh i rrymës që nga shtatori i vitit të kaluar e këndej për së paku dhjetë herë, vetëm ka nxjerrë në sipërfaqe problemet e vjetra të ndërmarrjeve të ujit në Maqedoni. Punën joefikase dhe jorentabile e tyre, problemet me humbjet e mëdha të ujit, pagesën joefikase të ujit të shfrytëzuar, mbipunësimet, borxhet e akumuluara ndër vite, rrjetin e vjetër të ujësjellësit, rritjes së kostos së mirëmbajtjes dhe pjesëve rezervë, si dhe investimeve të pakta në modernizimin e rrjetit.

Nga Shoqata e ndërmarrjeve komunale në nivel të shtetit janë në pritje që shteti ti ndihmojë ata të kapërcejnë këtë situatë të vështirë, së paku me furnizimin me energji elektrike me çmime që mund ti përballojnë.

Nuk pritet që të shkyçen pompat për shkak se qytetarët e kanë me kushtetutë të garantuar qasjen ndaj ujit dhe energjisë elektrike, mirëpo probleme pritet të paraqiten në rast se mungon ndihma qeveritare për pagesën e rregullt të pagave të dhjetëra mijë të punësuarve. Përskaj shtrenjtimit të caktuar të ujit që nuk do të rëndonte buxhetin e familjeve në këtë kohë të krizës , pritet që të ofrohet çmim i kapshëm për ndërmarrjet publike i rrymës, thonë nga Enti rregullator i energjetikës dhe shërbimeve të ujit.

Numri i një I këtij organi rregullator, Marko Bislimovski, thotë se kompania Teto në Shkup, së bashku me energjinë për ngrohje për kryeqendrën e vendit, mund të prodhojë edhe energji elektrike për këto ndërmarrje publike. Mirëpo shton se ato duhet të zgjidhin problemet strukturore të shtresuara me vite, dhe jo të propozojnë kërkesa për shtrenjtimin e ujit prej 100 apo edhe 200 për qind, që nuk do të marrin dritën jeshile.

“Këto ndërmarrje duhet të ndërmarrin diçka për të zvogëluar humbjet e ujit që janë mbi 60 për qind, që është e pa qëndrueshme. Kjo është e njëjtë sikur në një fabrikë që prodhon 100 vetura, 65 vetura të mos jenë të mira, ndërsa prej pjesës së mbetur prej 35 veturash të mund të jetohet”, thekson Bislimovski. Sipas tij, nevojitet të realizohen investime në rrjetet e ujësjellësve, duke shtuar se në vitet e kaluara nga disa tarifa që i propozon ky institucion, këshillat komunal pa përjashtim po zgjedhin tarifat minimale, apo tarifën në strukturën e së cilës , shkalla e investimit gjendet në nivelin më të ulët, dhe nënkupton vetëm mirëmbajtjen bazike të rrjetit.

Nga Enti Rregullator për Energjetikë, shtojnë se ky problem paraqitet në tërë rajonin, duke shtuar se është e domosdoshme që të shpjegohet se si harxhohet çdo denar, sa investime po realizohen në ndërmarrjet komunale.

Nga ana tjetër analiza e Komisionit Rregullator për Energjetikë tregojnë se mos arkëtimi apo mos pagesa e ujit është një nga shkaqet e punës jo të suksesshme të më shumë ndërmarrjeve komunale në vend.

Përqindja e ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura edhe në vitin 2021 mbetet një nga parametrat kryesor përmes të cilit vlerësohet suksesi i punës së ofruesve të shërbimeve të ujit dhe i njëjti lëviz midis 14 për qind dhe 92 për qind në varësi prej ofruesit të shërbimeve të ujit. Në bazë të të dhënave të fundit të disponueshme, përqindja e ujit për të çilin nuk arkëtohen të ardhura në Maqedoninë e Veriut arrin 60.46 për qind. “Në vitin 2021 në raport me vitin 2020, sasia e ujit që hyn në sistemet për furnizimin me ujë, shënon ulje prej 6.96 për qind, ndërsa përqindja e ujit të faturuar është rritur nga 38.06 për qind në vitin 2020, në 39.54 për qind në vitin 2021”, tregojnë analizat e Entit Rregullator për Energjetikë. Analiza më tej tregon se në rajonin Verilindor ofrohen shërbimet e ujit pjesërisht apo plotësisht për banorët e komunës së Kumanovës, në vitin 2021 është faturuar uji me 25.85 për qind, ndërsa niveli i ujit për të çilin nuk realizohen të ardhura është 74.15 për qind. Në rajonin e Shkupit në vitin 2021 është faturuar uji me 40.37 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 59.63 për qind. Në rajonin e Pollogut që mbulon pjesërisht apo tërësisht nevoja për ujë të pijshëm për komunat Bërvenicë, Vrapçishtë, Gostivar, Zhelinë dhe Tetovë, në vitin 2021 është faturuar uji me 26. 6 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 73.40 për qind.

Në rajonin Jug perëndimor në Dibër, Strugë, Ohër dhe Kërçovë në vitin 2021 është faturuar uji me 42.09 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 57.91 për qind. Në rajonin lindor ku bëjnë pjesë Berova, Koçani, Shtipi etj, në vitin 2021 është faturuar uji me 31.43 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 68.57 për qind. Në rajonin e Vardarit ku bëjnë pjesë Kavadari, Shën Nikolli, Velesi, Demir Kapia dhe disa komuna të tjera në vitin 2021 është faturuar uji me 38.61 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 61.39 për qind. Në rajonin Juglindor ku bëjnë pjesë edhe Strumica, Gjevgjelia, Radovshi, në vitin 2021 është faturuar uji me 48.89 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 51. 11 për qind. Në rajonin e Pellagonisë ku bëjnë pjesë Prilepi, Manastiri, Resnja etj në vitin 2021 është faturuar uji me 51.16 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 48.84 për qind. (koha.mk)

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 16 Shtator, 2022 15:14