Maqedonia e Veriut, a ka afat për vaksinat nga Komisioni Evropian?

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në Bruksel sot u takuan me Komisarin Evropian për Menaxhim me Kriza, Janez Lenarçiç, por nuk kanë marrë afat konkret kur Maqedonia e Veriut mund të presë vaksina nga BE-ja, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Burimet e MIA-s në Komisionin Evropian (KE) thonë se institucioni nuk është në gjendje në këtë kohë të japë afat dhe premtim për dorëzimin e vaksinave sepse vetë vendet anëtare të BE-së përballen me mungesë të dozave për popullsinë e tyre.
KE i hedh poshtë pretendimet se vendet anëtare të BE-së kanë më shumë doza sesa u duhen dhe pohojnë se shërbimet e tyre po i kontrollojnë këto pretendime dhe se ato janë “të pasakta”.
“Padyshim se problemi kryesor është me kompanitë farmaceutike, ose ato premtuan shumë, ose ka ndonjë problem tjetër, por ne jemi duke punuar për të zbuluar se çfarë po ndodh”, thonë nga Komisioni Evropian për MIA-n.
Komisarja Evropiane për Shëndetësi, Stella Kiriakides, këtë pasdite kumtoi se i ka dërguar letër kompanisë farmaceutike AstraZeneka e cila paralajmëroi se dozat e premtuara do të vonohen dhe kërkoi përgjigje specifike se pse po vonohen vaksinat e premtuara të bashkë-financuara nga BE-ja.
“Në të ardhmen, duam transparencë të plotë nga kompanitë që prodhojnë vaksina”, tha komisarja, duke shtuar se nga ata do të kërkohet nga tani të thonë saktë se cilat vende të treta dhe sa doza janë dorëzuar, ndërsa do të ndërmerren “hapat e nevojshëm” nga BE .
Për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, kjo do të thotë se “në javët e ardhshme” nuk do të marrë vaksina as nga Kovaks, as nga “Mekanizmi i ri për shpërndarje” i BE-së, i paralajmëruar javën e kaluar.
Nëse Shkupi dëshiron të marrë vaksina para se ato të jenë të disponueshme përmes mekanizmave humanitare, ka disa mundësi: njëra është t’i porosis ato direkt nga prodhuesit, t’i bëjë nga vendet e tjera që kanë vaksina, të presë donacione, ose të sigurojnë vaksina nga Rusia ose Kina.
“Vendimi i mbetet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por duhet të merret parasysh se asnjëra nga këto dy vaksina nuk janë të aprovuara në BE. Kjo është përgjegjësi e autoriteteve ndaj qytetarëve të tyre, Bashkimi Evropian nuk ndërhyn në këtë vendim”, thonë nga Komisioni Evropian për MIA-n.
Bashkimi Evropian, që është financuesi më i madh në mekanizmin Kovaks, javën e kaluar vendosi të krijojë Mekanizmin e tij për shpërndarjen e vaksinave me vendet e treta më të varfra. Ky Mekanizëm duhet ta mbulojë periudhën e pritjes derisa Kovaks të bëhet operative, e cila nuk do të ndodhë para pranverës, sipas paralajmërimeve.
Megjithatë as ky Mekanizëm i ri i BE-së nuk mund të fillojë të punojë dhe të dërgojë doza në vendet e treta jashtë BE-së, sepse ka mungesë të vaksinave edhe për vendet e BE-së.
Një burim për MIA-n shton se megjithatë në KE janë optimistë sepse shumica e vendeve anëtare të BE-së së shpejti do të fillojnë me dozën e dytë të vaksinimit të popullatës së tyre, e cila së shpejti mund të nënkuptojë edhe zhbllokim i situatës në Ballkanin Perëndimor dhe vendet e tjera anëtare.
Komisari Evropian për Zgjerim, Oliver Varheji, nga ana e tij, gjithashtu po përpiqet të marrë doza të mjaftueshme nga vendet anëtare të BE-së për fqinjësinë sa më shpejt të jetë e mundur. Këto doza do të jenë me prioritet të rezervuara për personelin mjekësor dhe grupet më të rrezikuara.
Varheji këtë sot ua tha edhe ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së që u takuan në Bruksel dhe ishte “shumë specifik”, thonë burimet e pranishme në takim, për atë që nevojitet si një shenjë solidariteti me vendet e treta.
Nëse Komisari Evropian arrin të marrë dritë jeshile për iniciativën e tij, vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të jenë të parët që do t’i marrin vaksinat përpara fqinjëve të tjerë të Unionit.
Nga Komisioni gjithashtu thonë se u ndihmojnë vendeve të rajonit edhe për të gjitha procedurat e tjera të tilla si autorizimet dhe strategjitë kombëtare.
Kryetarja e Komisionit Evropian javën e kaluar paralajmëroi se shpërndarja e vaksinave me vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme është e nevojshme edhe për interesa egoiste sepse sa më shumë të qarkullojë virusi në botë, aq më të larta janë rreziqet nga mutacionet e rrezikshme dhe virulente.