Legjitimiteti i opozitës shqiptare në Kuvend? Deputetët i kanë nga koalicione dhe parti të tjera!

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 20 Janar, 2024 11:45

Legjitimiteti i opozitës shqiptare në Kuvend? Deputetët i kanë nga koalicione dhe parti të tjera!

Opozita shqiptare – Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, aktualisht në Kuvend përfaqësohen me pesë deputetë. Partia e Izet Mexhitit me dy, Alternativa me dy dhe Besa me një deputet. Por, asnjë parti politike këto deputetë nuk i ka marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare si subjekt më vete.

Alternativa e Afrim Gashit, nga zgjedhjet e vitit 2020 që ishte në koalicion me Aleancë për Shqiptarët, fitoi katër mandate, prej të cilave i ngelën vetëm dy, pasi Skender Rexehpi dhe Hysni Ismaili kaluan të pavarur duke u larguar nga kjo parti.

Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit ende nuk ka marrë verdiktin e popullit si subjekt politik. Dy deputetët e LD-së janë të dalë nga listat e BDI-së në zgjedhje e vitit 2020. Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku u larguan nga kjo parti pa e kthyer mandatin e deputetit.

Edhe Lëvizja Besa me të njejtin tregim. Në zgjedhjet e vitit 2020, në koalicion me LSDM morri katër deputetë, ndërsa pas prishjes së koaliconit ka ngelur vetëm me një, Fadil Zendelin. Për shkak se Bilall Kasami u zgjodh kryetar i Tetovës, në vend të tij si deputet e verifikoi mandatin një kuadër i LSDM-së, respektivisht Dragoljub Filiposki nga Gostivari. Nga Lëvizja Besa u largua deputeti Kastriot Rexhepi dhe pastaj edhe Bastri Bajrami.

“Koalicioni LEN, aktualisht përfaqësohet me pesë deputetë. LD me deputetë nga lista e BDI, Lëvizja Besa me deputet nga lista me LSDM dhe Alternativa me deputetë nga lista me Aleancën për Shqiptarët. Në aspektin juridik, ata u përkasin partive që janë deklaruar me vullnetin e tyre, por de fakto legjitimiteti i tyre mund të vihet në diskutim. Në Demokraci dhe me ligjet aktuale të shtetit, lëvizjet e tilla janë të lejuara. Mendoj që verdiktin nga populli, këto parti do ta fitojnë në zgjedhjet e Majit. Për momentin, kjo është gjendja”, shprehet analisti dhe gazetari Driton Zenku.

Edhe në pushtetin lokal, gjendja paraqitet gati identik. Pastër është vetëm Pushteti Lokal në Tetovë dhe Zhelinë ku Bilall Kasami dhe Blerim Sejdiu si kandidatë të Lëvizjes Besa fituan zgjedhjet lokale të vitit 2021. Në Çair, Visar Ganiu u rizgjodh kryetar komune si kandidat i BDI-së, që më pas t’i bashkëngjitet Izet Mexhitit te partia e re, Lëvizja Demokratike. Flaka Media

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 20 Janar, 2024 11:45