Kovaçevski sheh nga afër investimin prej gati 500 mijë euro në Spitalin e Gostivarit

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Tetor, 2022 20:29 Updated

Pas përfundimit dhe realizimit me sukses të shumë projekteve dhe investimeve kapitale në spitalin e Gostivarit, sot Spitali i Gostivarit u vizitua nga kryeministri Dimitar Kovacevski, zëvendës kryeministri Fatmir Bytyqi, ministri i shëndetësisë, Bekim Sali, drejtori gjeneral të kompanisë TAV Maqedoni, e cila është edhe investitori kryesorë i projektit dhe shumë personalitete tjera.

Kovaçevski theksoi që gostivarasit tashmë kanë një spital me efikasitet energjetik. Me një investim prej mbi 480,000 euro u realizua një fasadë krejtësisht të re energjetike për rreth 8,000 metra katrorë, si dhe dritare dhe dyer krejtësisht të reja PVC.

“Në kohë krize energjetike dhe mungesë energjie, ky investim i realizuar përmes programit TAV është më se i mirëpritur. I njëjti do të ulë kostot e energjisë elektrike, do të kursejë energji dhe fonde që më pas mund të devijohen për nevoja të tjera të qytetarëve. Ky do të jetë një dimër i gjatë dhe i vështirë. Por ne nuk do të lëmë askënd të përballet vetëm me krizën, jemi angazhuar dhe do ta përmbushim çdo nevojë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Shefi i kompanisë ajrore TAV, Metin Batak, përmendi se rikonstruksioni i fasadës së spitalit është një nga 94 objektet nga projektet qeveritare të financuara nga TAV Maqedoni.

“Me të vërtetë besojmë se ky investim prej 481 mijë euro do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore publike për qytetarët e Gostivarit. Aktiviteti jonë kryesor, që është funksionimi i aeroportit, me financimin e këtyre projekteve infrastrukturore së bashku me Qeverinë dhe autoritetet lokale, mund të shtojmë vlerë për të mirën e qytetarëve të Maqedonisë”, deklaroi drejtori i përgjithshëm Batak.

Delegacioni qeveritar u njoftua nga afër me realizimin e investimeve në Spitalin e Gostivarit. Drejtori i spitalit Dr.Jakup Jakupi falemenderoi të pranishmit për vizitën dhe ju shprehu mirënjohje për bashkëpunimin, ndihmën dhe respektin që treguan ndaj institucionit tonë me prezencën e tyre sot. Gostivari Sot

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Tetor, 2022 20:29 Updated