Itali, numri i viktimave shkon në 14, mijëra persona të evakuuar

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 19 Maj, 2023 21:21

Itali, numri i viktimave shkon në 14, mijëra persona të evakuuar

Kalimi i orëve e ka vështirësuar akoma më shumë situatën në Itali, ku numri i viktimave në Emilia-Romagna ka shkuar në 14, ndërsa të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Ekipet e shpëtimit janë në terren, për të evakuuar banorët më të rrezikuar nga përmbytjet që kanë shkatërruar rajonin.

Numri i komunave të përmbytura është rritur në 42, ndërsa rreth 15,000 njerëz janë zhvendosur në ambiente të sigurta. Sipas mediave italiane 27 mijë persona janë pa energji elektrike, ndërsa një pjesë tjetër ka probleme me furnizimin me ujë dhe ushqime.

Niveli i të gjithë lumenjve vazhdon të jetë mbi kufirin e emergjencës dhe priten përmbytje të mëtejshme, të cilat mund të përkeqësojnë brigjet e dobësuara ose të dëmtuara.

Operacionet e pastrimit vazhdojnë në Faenza, aty ku sasia e baltës është shumë e lartë në shtëpi dhe ambiente të tjera.

Gjithashtu prezenca e ujit ka sjellë rrëshqitje dherash, ku deri më tani janë shënuar qindra raste.

Qeveria ka miratuar një dispozitë për të pezulluar pagesën e faturave, përfshirë ujin, gazin energjinë elektrike për qytetarët e Emilia-Romagna.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 19 Maj, 2023 21:21