Islam Abazi nga Gostivari është zgjedhur shef i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion
Islam Abazi ka fituar shumicën e votave të prokurorëve publik, gjegjësisht, nga gjithsej 160 prokurorë, për Abazin kanë votuar 66.
“Islam Abazi në zgjedhjet e drejtpërdrejta (me vota të drejtpërdrejta nga ana e prokurorëve) ka fituar më shumë vota nga kundërkandidatët për Shef të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, njoftoi zv.ministri Agim Nuhiu.
Dy vota më pak ka marrë kandidati Ermon Neziri. Kandidatet Vilma Ruskovska dhe Desa Paunovska kanë fituar më pak se 10 vota.
Me aktin e votimit të drejtpërdrejtë, Maqedonia e Veriut po futet në një nivel edhe më të përgatitur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Presim progres më të madh në bashkëpunimin operacional me partnerët ndërkombëtarë dhe koordinimin e aktiviteteve ndërmjet prokurorëve, policisë dhe organeve të tjera përkatëse kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për të përmirësuar efektivitetin e zbatimit të ligjit. Presim përparime në procedurat hetimore, ndjekjet penale dhe dënimin e rasteve të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave me fokus në konfiskimin e të ardhurave nga krimi”, tha zv.ministri Agim Nuhiu.
Ndryshe, Islam Abazi vjen nga Prokuroria e Lartë e Gostivarit.