Isen Shabani: Realizuam mbi 100 projekte të vogla dhe të mëdha

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 27 Dhjetor, 2022 14:04 Updated

Kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani në intervistën e fundvitit për Flaka Media Grup, flet për punën si kryetar komune, problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet pushtetit lokal, raportet me pushtetin qendror, realizimin e programit vjetor dhe për jetën dhe familjen e tij. Në intervistën e realizuar nga gazetari Abedin Bilalli, Shabani potencon rëndësinë e menaxhimit të sitatës nga kriza ekonomike dhe energjetike.

Intervistoi: Abedin Bilalli

FLAKA: Po përmbyllim një vit realisht me vështirësi të shumta. Nga një situatë e rënduar si pasojë e pandemisë vendi u përballë edhe me pasojat e krizës ekonomie dhe energjetike. Sa ka ndikuar kjo gjendje në funksionimin e komunës suaj?

ISEN SHABANI: Si çdo institucion tjetër publik në vend edhe te ne krizat e vazhdueshme kanë ndikuar. Por, krizë te ne kemi pasur edhe para pandemisë, prandaj ajo nuk mund të jetë justifikim i vazhueshëm për realizim të programit dhe detyrimeve që kemi ndaj qytetarëve. Besoj se ia kemi dalë në mbi 90 për qind të realizojmë atë çka kishim premtuar para qytetarëve.

FLAKA: Kriza energjetike po merr haraçin e vet. A ka ndikuar rritja enorme e çmimit në funksionimin e shkollave dhe ndriçimit rrugor në komunën që drejtoni? 

ISEN SHABANI: U përgatitëm para kohe pasi paralajmërimet ishin shumë herë se botën e pret një krizë energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë. Shkollat kanë funksionuar pa asnjë problem, kanë qenë të furnizuara me kohë me derivate që përoden për ngrohje. Sa i takon ndiçimit publik, nga aty kemi filluar me kursimet shumë herët dhe kjo solli që mos kemi fatura të pa paguara ndaj furnizuesit. Kemi biseduar dhe kemi hasur në mirëkuptim me banorët që ndriçimi publik derisa zgjatë kriza, të fiket herë pas here.

FLAKA: Në kontekst të krizës ekonomike dhe energjetike, si qëndron situata në ndërmarrjet publike të themeluara nga ana e komunës.

ISEN SHABANI: Këtë sfidë dhe krizë e kemi përballuar bashkë. Kemi vetëm një ndërmarrje publike komunale dhe ajo ka arritur obligimet t’i kryejë pa pengesa dhe të përgjigjet në kohë ndaj çdo urgjence që ka dalë.

FLAKA: Sa jeni të kënaqur nga realizimi i programit dhe buxhetit komunal në vitin që po lejmë pas?

ISEN SHABANI: Gjatë kohës së fushatës, kemi hartuar edhe platformën e qeverisjes komunale për 4 vitet e ardhshme. Për të qenë sa më të sinqertë me qytetarët, në platformë kemi specifikuar qartë investimet të cilat kemi planifikuar ti realizojmë me buxhetin komunal. Në të njëjtën kohë kemi paraqitur edhe projektet të cilat janë nevojë e domosdoshme për qytetarët, por që buxheti komunal është i vogël për ti realizuar. Në këtë mënyrë këto projekte të mëdha kemi arritur të realizojmë me fonde ndërkombëtare dhe donacione. Nuk mund të jemi të kënqur me ndihmën që na jepet nga pushteti qendorë, megjithatë  në këtë llogaritje sa i përket projekteve komunale, kemi realizuar thuajse mbi 100 projekte të vogla dhe të mëdha me një buxhet të realizuar si kurrë më parë në Komunën e Vrapçishtit.

FLAKA: Cilat do të ishin projektet më të rëndësishme që u realizuan gjatë vitit 2022 në komunën tuaj?

ISEN SHABANI: Nga ato mbi 100 projekte po veçojë rregullimin e infrastrukturës shkollore. Të gjitha shkollat në territorin e Komunës së Vrapçishtit sot kanë kushte shumë më të mira pune. Kemi zgjedhur këtë mandat fokus të kemi arsimin, pasi një shoqëri e shëndoshë nuk do ishte e tillë nëse gjeneratës së re nuk u mundësojmë kushte për zhvillimin e tyre. Kemi investuar edhe në terren sportive, indriçim publik dhe kemi rregulluar me dhjetëra rrugë me rëndësi. Kemi pasur linja të reja ujësjellësi, kanalizime dhe investime tjera me të cilat besojmë të kemi kontribuar në përmirësimin e jetesës së banorëve të komunës sonë.

FLAKA: Drejtoni një komunë rurale dhe vini nga një parti për momentin në opozitë. Keni bashkëpunim me institucionet qendrore në realizimin e projekteve në komunën tuaj?

ISEN SHABANI: Si komunë opozitare dihet që jo gjithmonë kemi mbështetje të pushtetit qendror, por ne nuk kemi hequr dorë me aplikim në projektet qeveritare dhe t’i fitojmë ato, pasi këtë ua kemi detyrim banorëve. Ky është mandati i dytë në krye të Komunës së Vrapçishtit dhe e di se për të patur sukses duhet bashkëpunim. Jo me çdo kusht, por kur janë në pyetje projektet me të cilat komunën tonë e bëjmë vend më të mirë për të jetuar, themi se politika dhe hatërmbetjet këtu nuk kanë vend.

FLAKA: Jemi në prag të vitit 2023. Keni rritje të buxhetit komunal për vitin që vjen, dhe cilat janë projektet kapitale që po planifikoni për t’i realizuar?

ISEN SHABANI:  Nëse buxheti i vitit paraprak ka realizim solind, me automatizëm rritet buxheti i vitit tjetër. Kështu, duke parë realizimin që kemi sivjet, buxheti i viitit 2023 patjetër se do të rritet. Sa u takon projekteve të parapara, disa prej tyre janë me rëndësi vitale. Vitin që vjen përfundojmë dhe fillon me punë Njësiti Territorial Kundër Zjarreve. Ky shërbim do fillojë për herë të parë në komunën tonë. Në përfundim e sipër jemi të planit për ta ndërtuar siptalin e parë në komunën tonë, qendrën e autizimit, shtëpinë e pleqve. Me këto investime unë dh ekipi im kemi barrë mbi supe që komunën tonë nga rurale ta shndërrojmë në urbane. Kjo do të ndodh gjatë këtij mandati, ua kemi për obligim qytetarëve, kemi obligim para Zotit të realizojmë zotimet. Pak justifikime, më shumë punë e përkushtim. Komuna e Vrapçishtit ka rini vitale, ka njerëz të edukuar dhe me cilësi që duhet të ju krijohen kushte për të qendruar në vendlindje.

FLAKA: Kush është Isen Shabani jashtë “petkut” politik?

ISEN SHABANI: Të pëfaqësojë atë çka realisht jam, origjinën time. Një njeri lokalist, por që e do kombin e vetë globalisht. Të bashkojë në vend se të përçajë. Jam me miq dhe njerëzit që mi do zemra paravarësisht përkatësisë politike, fetare apo etnike. Një humanist, familjarë, prind dhe bashkëshort i mirë.

FLAKA: Cila është lidhja me familjen, sa kohë ndani për ata?

ISEN SHABANI:  Familja është e shenjtë sado kjo të tingëllojë klishe, por nëse ajo nuk është e para, nuk mund të jeni të mirë as për të tjerët. Jam me familjen sa herë që më jepet mundësia dhe pavarësisht obligimeve gjithmonë gjejë kohë edhe për ata. Pozicioni më i mirë dhe më natyral në jetë është ai i një familjari të përkushtuar. Këtë tentojë ta lejë si trashigimi edhe te fëmijët e mijë. Pasurima më e madhe në jetë pas shëndetit është të jesh njeri dhe familjar shembullor.

FLAKA: Mesazhi juaj drejtuar qytetarëve me rastin e ndërrimit të motmoteve?

ISEN SHABANI: Uroj që viti 2023 t’ju sjellë ju dhe familjeve tuaja dashuri, mbarësi dhe paqe. Uroj të gjithë qytetarët tanë, brenda e jashtë vendit, urimet e mia të përzemërta!

Si udhëheqës, jemi të vetëdijshëm se na duhet ende shumë punë që qytetari ynë të jetë më i pasur dhe më i lumtur. Duhet të bëjme ende më shumë në arsim, shkencë, kulturë e shëndetësi. Të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët. T’u jemi më afër dhe të investojmë më shumë për fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë çast kremteje, i bëj thirrje gjithë shoqërisë sonë që të jetë më afër njerëzve që u duhet ndihma, të cilët kanë nevojë për përkrahje, dashuri, dhe kujdes. Dora e ndihmës për këtë shtresë të qytetarëve tanë duhet të jetë përherë e zgjatur, që edhe ata të kenë mundësinë e qasjes dhe të kontributit të tyre në zhvillimet e përgjithshme të shoqërisë sonë.

Dhe e mbyll këtu me mesazhin se me punë do të jemi më afër familjes së madhe, atë çka përfaqësojmë e duam, Bashkimin Evropian.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 27 Dhjetor, 2022 14:04 Updated