Intervistë me liderin e Alternativës, Afrim Gashi: Ne e dimë gjuhën e bashkëpunimit me ASH…
Lideri i Alternativës, Afrim Gashi në intervistën ekskluzive për rrjetin më të madh të mediave online në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, Flaka Media Group, me rastin e ndërrimit të motmoteve, është sqaruar rreth qëndrimit të kësaj partie sa i përket përfshirjes së Aleancës për Shqiptarët në qeveri.
“Për të saktësuar, më duhet të them se ne nuk kemi qenë kundër futjes së Aleancës për Shqiptarët në qeveri dhe as nuk do të jemi. Ajo për të cilën jemi deklaruar ne është në një rrafsh tjetër të diskutimit. Derisa në pikëpamje të numrave nuk ka ndryshuar asgjë në shumicën parlamentare, pra janë po ato numra të deputetëve të shumicës, nuk e shohim arsyen pse duhet të hapet edhe si temë kjo. Meqë as numrat e ASH-së nuk e bëjnë numrin e deputetëve të nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, ne e kemi shtruar pyetjen se çfarë ndryshon cilësisht nga inkuadrimi i ASH-së, pos që dëmtohet seriozisht demokracia ndërshqiptare në Maqedoninë e Veriut”, deklaron Gashi.
Në kontekst të kësaj, shton ai, ne kemi thënë se ndryshimi i vetëm potencial në shumicën parlamentare është ulja e numrit të deputetëve të BDI-së pas përplasjeve “të zjarrta” atje.
“E nëse është kjo, për çka ajo parti duhet të deklarohet pa u turpëruar, atëherë besoj se duhet të vlejë rregulla se atij që i duhet gomë rezervë, duhet edhe të paguajë çmimin. Sidoqoftë, nëse Aleanca për Shqiptarët pranon ta marrë këtë rol, për çka unë dyshoj fort duke e njohur dinjitetin dhe moralin e tyre politik, AlternAtivA do të bashkëpunojë me të dhe do të jemi partnerë ashtu siç kemi dëshmuar edhe në dy ciklet e kaluara zgjedhore. Ne e dimë gjuhën e bashkëpunimit me ASH-në dhe kjo nuk na paraqet fare problem”, vijon Gashi.
Në intervistën ekskluzive për Flaka Media Group, Gashi tregon nëse ka pasur kontakte me Arben Taravarin, pasi ky i fundit u caktua për ushtrues detyre kryetar i ASH-së.
Intervistën e plotë me liderin e Alternativës, Afrim Gashi që e zhvilloi kryeredakori Driton Zenku, do të mund ta lexoni me 29 dhjetor në në Flaka, Gostivari Sot, Lobi, Observeri dhe portalin më të ri të Flaka Media Grup që do të lanqohet me rastin e ndërrimit të motmoteve. Redaksia Flaka