Intervistë me Drejtorin e “Rusino-Pollog”, Besim Dogani: Vështirësitë vazhdojnë të jenë të shumta
Në rajonin e Pollogut u krijuar Ndërmarrja e re e përbashkët rajonale e nëntë komunave e cila menaxhon me mbeturinat në këtë rajon. Në intervistën e fundvitit për Flaka Media Group, drejtori Besim Dogani flet për sfidat, punën e përditshme dhe zgjidhjen përfundimtare të Deponisë rajonale “Rusino”, në Gostivar.
“Vështirësitë ishin dhe vazhdojnë të jenë të shumta. Ndërmarrjes iu dha një detyrë shumë e vështirë, gati se e pamundur për tu përmbushur. Në vend që të fillonte të menaxhonte një deponi sanitare me standarde, ajo trashëgoi një deponi të egër në të cilën ishin deponuar mbeturinat nga rajoni i Pollogut pa ndonjë rregull për dekada me radhë. Deponia nuk posedonte sistem rrugësh të brendshme për qarkullim, nuk kishte ujë, rrymë elektrike, asnjë mjet apo vegël nga më elementaret për punë. Nuk dispononte me qeliza (hapësira) të rregulluara për pranim të mbeturinave. Në këtë drejtim ne i dhamë detyrë vetes që hap pas hapi të eliminojmë të gjithë mangësitë”, shprehet Dogani në intervistën për Flaka Media Group.
“Si komunat ashtu edhe institucionet tjera, ministria përkatëse, kanë qenë shumë bashkëpunuese në aspektin jo financiar. Por fatkeqësisht deri më tani në masë të madhe ka munguar ndihma e tyre financiare. Ndërmarrja është lënë të mbijetojë vetë, si të dijë e si të mundet. Nga ministria e linjës nuk kemi marrë asnjë denar ndihmë deri më tani përpos premtimeve të shumta që gjithçka do të funksionojë më mirë e më lehtë pasi të miratohet kredia nga BERZh. Komunat dhe ndërmarrjet komunale shënojnë vonesa të mëdha në shlyerjen e obligimeve ndaj NPP Rusino/Pollog dhe deri në momentin e këtij shkrimi borxhi ndaj ndërmarrjes ka kaluar 7.5 milionë denarë, gjë që na pamundëson të shlyejmë në kohë faturat e operatorëve privat, pagat e të punësuarve, që nga ana tjetër mund të sjell deri në bllokim të punës së NPP Rusino/Pollog respektivisht mbylljen e saj të përkohshme deri në shlyerjen e borxheve”, vijon Dogran në Intervistën e dhënë për kryeredaktorin Driton Zenku.
Intervistën e plotë do të mund ta lexoni me 28 dhjetor në në Flaka, Gostivari Sot, Lobi, Observeri dhe portalin më të ri të Flaka Media Grup që do të lanqohet me rastin e ndërrimit të motmoteve. Redaksia Flaka